Në rrezik ndeshja Shqipëri-Angli në Arenën Kombëtare. FSHF, letër autoriteteve

Shqipëria rrezikon organizimin e ndeshjes më të madhe drejt “Katar 2022”, atë përballë Anglisë. Arsyeja lidhet me cenimin e standardeve të sigurisë, të kërkuara për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.

Zgjerimi i pakontrolluar i bizneseve në Arenën Kombëtare vendos seriozisht në dyshim zhvillimin e ndeshjes së parë kualifikuese, që Shqipëria do të luajë në shtëpi, përballë Anglisë. UEFA i ka dërguar një letër zyrtare Federatës Shqiptare të Futbollit, në të cilën e paralajmëron se, nëse situata nuk vihet nën kontroll, atëherë sfida e datës 28 mars do të jetë e pamundur që të luhet në Tiranë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i FSHF-së, që i ka dërguar një shkresë Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Inspektoratit Urbanistik Vendor në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiakut Erion Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama, për lirimin e hapësirave në perimetrin e sigurisë së impiantit.

Problematika më e madhe lidhet me tribunën qendrore, pjesën e bizneseve të instaluara në tribunën karshi, por edhe në tribunën jugore, hyrja e së cilës është në zonën e Liqenit Artificial.

Sipas FSHF-së, edhe pse biznesi është një pjesë shumë e rëndësishme e stadiumit më të madh në vend, avancimi i operatorëve, që kanë ngritur struktura permanente hekuri dhe betoni në trotuaret e Arenës Kombëtare, cenon seriozisht standardet e sigurisë, jo vetëm për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, por edhe të çdo eventi tjetër.