Sot vendimi nga EMA, OBSH rekomandon përdorimin e vaksinës së Astrazeneca

Organizata Botërore e Shëndetësisë mbështet që benefitet nga vaksina anti-covid e AstraZeneca janë më të mëdha se efektet anësore. Gjithashtu është rekomanduar që shtetet të vazhdojnë me përdorimin e dozave.

OBSH e aprovoi vaksinën e zhvilluar nga Oksfordi dhe AstraZeneca për përdorim emergjent muajin e kaluar, duke u mundësuar vendeve të varfra dhe atyre në zhvillim, qasjen në produktin tepër të lirë.
“Përdorimi i vaksinës i tejkalon rreziqet. E dimë që vaksinat që janë në përdorim janë të sigurta dhe efikase, prandaj është e rëndësishme që individët ta marrin dozën e tyre, kur t’iu vijë radha”, deklaron Maria Van Kerkhove, eksperte e OBSH.

“Këshillojmë njerëzit që të vazhdojnë ta marrin këtë vaksinë. Aktualisht, virusi ka një shans më të madh që t’iu dëmtojë më shumë se rreziqet e pakta që lidhen me këtë vaksinë”, deklaron Mike Ryan, drejtor i programit të emergjencave në OBSH.

Eksperti i programit të emergjencave i OBSH këshilloi vendet e botës që të tregojnë shumë kujdes dhe të mos dëmtojnë besueshmërinë mbi vaksinat, pasi mund të kthehet në një problem serioz.

Rivlerësimi i produktit të AstraZeneca nga Organizata Botërore e Shëndetësisë erdhi pasi një sërë shtetesh europiane pezulluan përdorimin e dozave si shkak i shqetësimeve të ngritura lidhur me mpiksjen e gjakut.

Një vendim lidhur me përdorimin e vaksinës pritet sot pasdite edhe nga Agjencia Europiane e Barnave, e cila në shqyrtimin fillestar konfirmoi se nuk ka prova shkencore që vërtetojnë se dozat e AstraZeneca të kenë shkaktuar problemet e raportuara.