Votë kundër Ramës apo për programin e PD? Alibeaj: Shqiptarët e kanë dozën e mllefit, por kërkojnë dhe të përzgjedhin

Në emisionin e së enjtes të “Absolut 4” u diskutua gara zgjedhore në qarkun e Fierit. I pyetur nëse fryma e qytetarëve është thjesht për të larguar qeverinë aktuale sepse janë të lodhur apo kanë besim te Partia Demokratike si një alternativë më e mirë, drejtuesi politik i fushatës së PD për Fierin, Enkelejd Alibeaj deklaroi se në fushatë ka vënë re një mllef të madh të qytetarëve për të larguar qeverinë aktuale por dhe një dozë të fortë sa i takon përzgjedhjes.

Sipas tij, mes qytetarëve është rritur ndjeshëm interesi për programet politike, si dhe bëhët krahasimi i emrave që janë në listën e kandidatëve, në mënyrë që ata të bëjnë zgjidhjen e duhur.

“Jam në fushatë në Fier që nga data 15 janar. Arrij ta bëj ndryshimin në trajaktore prej 15 janarit.  Njëra prej të cilave ishte momenti i shpalosjes së programit dhe i fundit i shpërfaqjes së listave.

Unë mund të them që në momentin e parë me 15 janar, kur bëra turin e parë në qark ajo që mbizotëronte ishte realisht irritimi dhe mllefi maksimal. Thënë ndryshe vota kundër, vota për të larguar.

Me kalimin e kohës ajo që kam konstatuar, më shumë në zona specifike, si Divjaka, Roskoveci, Patosi, Ballshi, të cilat kanë një lloj profizilimi drejt bujqësisë, kam kuptuar që njerëzit e dëgjojnë me prioritet maksimal idetë tona për bujqësinë. Ti pyesësh sot, e dinë fare mirë çfarë do të thote nipti që do te jetë në karta identiteti apo 100 milionë subvencion. Kam vënë re një lloj emancipimi, për të kuptuar dhe për të qenë sqimatar në përzgjedhje.

E vej re në të gjitha takimet, gjithmonë ka një kërkesë për programin për arsimin, rininë, bujqësinë, punësimin por ka dhe kërkesa specifike. Shqiptarët e kane dozën e mllefit, lëngojnë prej vitesh, është gjurmë e fortë ajo që ka ngelur në lëkurën e tyre por kërkojnë dhe të përzgjedhin. Kjo është sfida jonë. E fundit është dhe elementi i thurjes së listave. Janë shumë përzgjedhës për figurat qëndrore dhe lokale dhe bëjnë krahasimin. Ka një emancipim, të domosdosshëm dhe për shkak të largimit të tifozerisë politike. Sot, ajo çfarë unë shoh është që ka dozë të fortë për votën kundër por dhe një dozë të fortë sa i takon përzgjedhjes.”