Xhixho: Listat e veçanta nuk na përçajnë me PD, do maksimizojmë votat e opozitës. PS nuk është më forcë e majtë

Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, e ftuar në A2, komentoi lëvizjet e partisë në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit, mes largimeve, rikonfirmimeve dhe prurjeve te reja, si dhe marrëdhënien me aleatin e saj kryesor, PD-në.

Duke deklaruar se objektivi kombëtar i LSI-së është ai i 30 mandateve, Xhixho mohon se ekzistenca e dy listave do të ulë shanset për opozitën. “Jemi në garë pozitive për të maksimizuar votat e popullit opozitar dhe nuk ka asnjë merak që dy listat e veçanta të përçajnë opozitën, ne jemi në koordinim me PD-në në terren, dhe jam e bindur për një rezultat të jashtëzakonshëm në zgjedhje”, thotë ajo.

Në listat e LSI-së, u konstatuan 7 kandidatë që më herët kanë pasur dënime penale, por Xhixho i cilëson si “raste sporadike”, ndërkohë që sipas saj mediat nuk fokusohen në sa shumë të rinj dha vajza bëjnë pjesë të asaj liste. Më pas, Xhixho bën një paralelizëm me vitin 2017. “Një nga gabimet që ka rrënuar bindjen e njerëzve te politika ka qenë përfshirja në listat e PS-së të njerëzve me rekorde kriminale. Në atë vit kam kandiduar në Fier dhe përfshirja e atyre në fushata dhe shitblerjen e votës që u masivizua atëherë, ishte një damkë për njerëzit që përfshihen në politikë, dhe kjo i faturohet një partie të majtë që duhet të mbronte idealet e social-demokracisë dhe në fakt erdhi në pushtet me paratë e krimit dhe përfshirjen e atij kontingjenti, ndryshe nga partia jonë që ka një qasje tjetër”, ishin fjalët e saj.

Drejtuesja e LSI-së komentoi edhe listat e PS-së, duke thënë: “Më erdhi keq që Vasilika Hysi nuk ishte më, ashtu si zonja Eglantina Gjermeni, ndërkohë që ishin persona të lidhura me interesat e momentit të zotit Rama. Duhet të pranojmë që nuk kemi më një forcë të majtë, që është zëvendësuar me Rilindjen”. Ndërkohë që listat e LSI-së ajo i sheh si mundësi e dhënë të rinjve, si dhe të zhgënjyerve që vijnë nga PS-ja. “Të jesh kundër pushtetit do forcë karakteri të madhe”, u shpreh ajo.

Disa figura të njohura janë larguar tashmë nga partia e saj, si Nasip Naço që deklaroi se do të shndërrojë Beratin në një bastion të PS-së , por Xhixho thotë se kjo nuk e shqetëson sepse “individë të cilët nuk kanë kuptuar vlerat e LSI dhe mundësinë që u është dhënë atyre, nuk përbejnë shqetësim për ne. LSI nuk e ka lidhur fatin e saj me individë të caktuar, dhe që kanë shërbyer vendin me emrin tonë, padyshim që ne kemi refleksionet tona për pushtetin që i kemi dhënë disa personave”.