Bisedimet në Alaskë, takim i tensionuar mes zyrtarëve të SHBA dhe Kinës

Tension mes zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe atyre të Kinës në takimin e parë të nivelit të lartë të zhvilluar në Alaskë.

Përfaqësuesit e qeverisë së Pekinit akuzuan homologët nga administrata Biden se po nxisin vendet “të sulmojnë Kinën”. Kundërpërgjigjja e zyrtarëve amerikanë ishte me një sërë kritikash në fusha të ndryshme.

 “Besojmë se është e rëndësishme për Amerikën që të ndryshojë imazhin saj dhe të ndalojë së përhapuri demokracinë e saj në pjesën tjetër të botës. Besimi i amerikanëve në demokracinë e Shteteve të Bashkuara është shumë i ulët. Ndërsa sipas sondazheve, Liderët e Kinës kanë mbështetje të gjerë të popullit kinez. SHBA nuk përfaqëson botën”, deklaroi Yang Jiechi, ish-ministër i Jashtëm kinez dhe aktualisht kreu i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë.

 “Diskutojmë për shqetësimet tona të thella nga veprimet e Kinës, përfshirë Xinjiang-un, Hong-Kongun, Tajvanin, sulmet kibernetike ndaj Shteteve të Bashkuara, presionin ekonomik kundrejt aleatëve tanë. Secili nga këto veprime kërcënojnë rendin e bazuar në rregulla që mbajnë stabilitetin global”, u përgjigj Antony Blinken, sekretar i shtetit i SHBA.

Marrëdhëniet mes dy superfuqive botërore janë në pikën më të ulët të viteve të fundit. SHBA-ja është zotuar të ngrejë vazhdimisht çështjen e persekutimit të pakicës myslimane në provincën Xinjiang, por Kina e shikon këtë si ndërhyrje në punët e saj të brendshme.

Gjithashtu, zyrtarët e Pekinit akuzuan Uashingtonin se po përdor forcën ushtarake dhe supremacinë financiare për të shtypur vendet e tjera. Përgjigjja e delegacionit të Biden ishte se Amerika nuk kërkon konflikt, ndërsa konfirmuan se do të mbrojë deri në fund principet që i konsiderojnë të drejta.