Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
19 Mars 2021, 08:32 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

4 komisione zgjidhen sot në Kryesinë e Kuvendit me në fokus fushatën e vaksinimit dhe marrëveshjet dypalëshe në sajë të programit për sigurimin e vaksinave, COVAX, që diskutohet në Komisionin për Shëndetësinë dhe atë të Çështjeve Ligjore, pa harruar edhe ndryshimet apo shtesat në një sërë projektligjesh të tjera.

Misioni i ODIHR-it ndan sot vëzhguesit për zgjedhjet

Misioni i ODIHR-it në vendin tonë ka thirrur sot në mesditë mediat në zyrat e OSBE-së për të folur mbi ndarjen e vëzhguesve dhe mënyrën se si do të funksionojë gjithë ekipi gjatë asaj dite. 

Pandemia, 43 000 shqiptarë humbën vendin e punës

43 mijë shqiptarë kanë humbur vendin e tyre të punës gjatë vitit që lamë pas për shkak të pandemisë koronavirus. Këtë shifër e konfirmoi Instituti i Statistikave, sipas të cilit, ata që punojnë në bujqësi dhe ndërtim u përballën edhe me një ulje të mëtejshme të pagave të tyre. 

Kurti dhe Osmani takojnë sot Abdixhikun

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani takohen sot me liderin e ri të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në kuadër të formimit të qeverisë. Në një dalje për mediat ditën e djeshme, Abdixhiku u shpreh qartë se si forcë politike janë të hapur për bashkëpunim, pasi nuk preferojnë ta çojnë vendin në zgjedhje të tjera. 

Ambasadori amerikan në Kosovë i kërkon Haradinajt dhe Hoxhajt bashkëpunim me qeverinë

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Cosnet, pas takimit me Albin Kurtin pohoi se ka pasur kontakt edhe me Ramush Haradinajn e Enver Hoxhajn, të cilëve u ka kërkuar të punojnë së bashku me qeverinë në synimet e përbashkëta dhe të vendosin nevojat e qytetarëve mbi qëndrimet politike.

Greqi, komiteti i ekspertëve njofton sot masat e reja kundër Covid-19

Greqia mbledh sot komitetin e ekspertëve në lidhje me masat e reja kundër Covid-19. Sikurse bëjnë me dije mediat vendase, pavarësisht numrit të lartë të infektimeve të reja, qeveria është e vendosur të lëshojë pe në disa prej masave ekzistuese. Nga fundjava e ardhshme, shkruajnë mediat greke, kuadri i ndalimit të trafikut pritet të zbutet. 

Administrata Biden, 58 ditë në detyrë

Administrata e re amerikane mbushi dje 58 ditë në detyrë dhe me këtë rast, presidenti Joe Biden u tha gazetarëve se janë në rrugë të mbarë me objektivat e vendosura. Një vëmendje kryesore i kushtoi procesit të vaksinimit që, sipas Biden, të gjitha rrugët e konfirmojnë që zotimi i 100 milionë vaksinimeve do të plotësohet brenda afatit. 

BE, Borrel: Putin duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij

Pyetja nëse mendon se Vladimir Putin është një vrasës i është bërë edhe shefit të Politikës së Jashtme në BE, Josep Borrel, i cili nuk iu përgjigj me po ose jo. "Ekzistojnë shumë fakte që në Rusi kanë ndodhur shumë vrasje, ndër gazetarë e politikanë, dhe nuk janë ndodhi që filluan të ndodhin dje. Mund të shtoj se autoritetet ruse kanë ndërmarrë veprime joligjore në Ukrainë dhe është presidenti i cili mban përgjegjësinë për këto veprime”, tha ai.

Meksikë, masakër ndaj policisë. Vriten 13 efektivë

Në kryeqytetin e Meksikës u regjistrua këtë mëngjes një krim i rëndë ndaj policisë, teksa persona të armatosur sulmuan një patrullë të tyren, duke u marrë jetën 13 efektivëve. Kjo ngjarje shënon edhe krimin më të rëndë në vend ndaj uniformave blu në vitet e fundit. Asnjë kartel mafioz nuk e ka marrë përsipër sulmin deri në këto momente. Lufta mes bandave të drogës dhe policisë është e njohur në këtë shtet, ku në 2015 anëtarë të bandës “Jalisco Nueva Generación” i morën jetën 15 policëve. 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli