Vrasja e Behar Sofisë, operacioni i policisë në Fushë-Krujë, për të dyshuar të tjerë

Policia e Shtetit shkoi në fshatin Arameras, ku arrestoi 4 persona të dyshuar për trafik droge dhe vjedhje, por në të vërtetë, operacioni u bë për gjetjen e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e Behar Sofisë. Nga ana tjetër, prokuroria ka zbardhur të gjithë itinerarin e ndjekur nga Shyti menjëherë pas vrasjes.

Forcat speciale kanë zhvilluar kontrolle të shumta në Fushë-Krujë. Operacioni u zhvillua mbrëmjen e së enjtes, në kërkim të personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e 66-vjeçarit Behar Sofia.

Ende nuk ka të dhëna mbi numrin e personave që policia kërkon.

Nga ana tjetër, prokuroria ka zbërthyer dhe të gjithë itinerarin e ndjekur nga 24-vjeçari pas vrasjes. Pas zbritjes nga taksia që mori në afërsi të Ministrisë së Jashtme, taksisti me iniciale Klemend M. tha për hetuesit se që në hipje, Shyti dukej i shqetësuar dhe herë pas here i kërkonte atij që të gjente rrugën më të shkurtër se ishte vonë.

Ndonëse e kishte parë për herë të parë, 24-vjeçari i kishte thënë taksistit se punonte si IT dhe se kërkonte të shkonte në terminalin e autobusëve në afërsi të Qytetit Studenti. Pas zbritjes, aty prokuroria ka sekuestruar dhe kamerat e sigurisë së terminalit, ku duket Shyti që hyn në brendësi.

Për këtë, policia mori në pyetje fatorinon e linjës Krrabë-Tiranë, Dardan Gj. Në deklarime ai tha se e njihte Shytin pasi e kishte shok fëmijërie. Për herë të fundit e kishte parë në datën 25 shkurt, në të njëjtën ditë kur ndodhi dhe vrasja. Sipas fatorinos, ai kishte me vete dy çanta të mëdha të zeza, të cilat i futi në bagazhin e autobusit. Sipas deklarimeve të fatorinos, kur janë takuar te trau, Ernejti e kishte qerasur me pije energjike, dhallë dhe byrek, e për këtë gjë ishte habitur sepse 24-vjeçari nuk para e qeraste.

Një ditë pas vrasjes, i riu doli nga territori i Republikës së Shqipërisë nga pika kufitare e Hanit të Hotit, ndërsa arrestimi i tij u bë në bashkëpunim me autoritetet malazeze.