17-vjeçari i AEK, Alban Bushi e konfirmon, Mitaj në Kombëtaren e Edy Reja

Grumbullimi i parë i Shpresave për vitin 2021. Mes risive, prurjeve të reja, numrit të madh të lojtarëve nga kampionati shqiptar dhe konfirmimit se Mario Mitaj, 17-vjeçari që ka shkëlqyer te AEK dhe kërkohet nga Greqia, është grumbulluar nga Edy Reja në Kombëtare.

 “Kemi afruar tre lojtarë që vijnë për herë të parë. Janë nga Kosova: Bytyçi, Salihu dhe Hetemi, që janë lojtarë shumë cilësorë dhe i falënderoj që kanë zgjedhur Shqipërinë dhe do jenë potencial edhe për ekipin A. Reja mendon edhe për 2024-ën dhe Mitaj deri atëherë mund të jetë 20 vjeç. Ai është me shumë cilësi dhe luan me AEK, një ekip shumë i mirë, por unë mendoj se mund të jetë sërish pjesë e U21.” u shpreh Alban Bushi, trajner i kombëtares Shpresa.

Pandemia vijon të ndikojë te kuqezinjtë, por problemi më i madh i Shpresave mbeten pretendimet e lojtarëve që luajnë në ligat europiane, për t’u katapultuar menjëherë në Kombëtaren A.

“Nga Anglia dhe Skocia nuk kemi marrë asnjë lojtar prej rregullave të pandemisë. Lojtarët e Superiores, kur i grumbulloj në U21 vijnë menjëherë dhe nuk hezitojnë. Ata nëpër Europë, që janë edhe pak më cilësor hezitojnë dhe duan më shumë ekipin A. Kjo është një zgjedhje e gabuar nga familja dhe menaxherët e tyre. Nuk dua lojtarë që e kanë mendjen te kombëtarja a nuk e di se çfarë.”

Në kualifikueset e Euro 2023, Shpresat e Shqipërisë kanë si kundërshtarë Anglinë, Slloveninë, Republikën Çeke, Kosovën dhe Andorrën. Objektiv mbetet vendi i dytë.

“Përveç Anglisë, ekipet e tjera janë të përballueshme. Të kemi grupin e fortë dhe të mos kemi dëmtime. Me Anglinë dhe Francën është e pamundur, por me një ekip si Italia mund të përballesh. Kemi qenë 1-1 deri në minutën e 90, na ka shënuar në fund. Spanja na ka mundur me një gol në minutën e 88. Janë ekipe të menaxhueshme, kurse Franca dhe Anglia janë të papërballueshme.”