BE paralajmëron AstraZenecan: Do ndalojmë eksportin e vaksinave nëse nuk përmbushni kontratën me Europën

leyen 600x338

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se do të ndalojë eksportin e vaksinave AstraZeneca kundër COVID-19, nëse kompania nuk përmbush fillimisht kontratat me bllokun.

“Ky është mesazhi për AstraZeneca. Së pari përmbushni kontratën tuaj me Europën pastaj filloni të dërgoni në vendet e tjera”, i tha von der Leyen grupit mediatik Funke të Gjermanisë.

Von der Leyen tha se AstraZeneca kishte shpërndarë vetëm 30 për qind të 90 milionë dozave të vaksinës që kishte premtuar për tremujorin e parë të vitit.

Ky njoftim vjen në një kohë kur vendet Bashkimi Europian po përballen me rritje të numrit të të infektuarve dhe po përpiqen të përshpejtojnë fushatën e vaksinimit.

Ndërkaq, imunizimi kundër COVID-19 me vaksinën e Astrzeneca në vendet e Bashkimit Europian ka ngecur për shkak të vonesave në shpërndarjen e vaksinave por edhe për arsye se disa vende europiane e pezulluan përdorimin e vaksinës se Oxford-AstraZeneca kundër COVID-19, për shkak të frikës nga efektet anësore të mundshme.