“Defender Europe”, stërvitja e NATO-s, mesazh për Rusinë

“Defender Europe 21”, nuk do të jetë një stërvitje e thjeshtë e sfafit të ambasadës amerikane në Tiranë nga marinsat e SHBA-ve, por një spektakël i vërtetë ushtarak, me pjesëmarrjen e mijëra forcave.

Kolonel Dritan Demiraj, njëkohësisht ish-ministër i Brendshëm, rrëfen detajet e kësaj stërvitjeje që do të zhvillohet në Shqipëri, këtë fundprill dhe që zgjat përgjatë majit dhe qershorit.

Nga burime jozyrtare është mësuar se në këtë stërvitje do të përdoren 18 avionë, 19 helikopterë, 10 mjete detare, 6 sisteme raketash patriot, 1000 automjete mbështetëse dhe mjete të tjera luftarake.

Koloneli, i cili ka eksperiencë të gjatë me forcat ushtarake, rrëfen edhe territorin ku do të zhvillohet stërvitja. Demiraj shton se kjo stërvitje është një mesazh ndaj Rusisë.

“Defender Europe 21” shihet me seriozitet nga NATO dhe kryesuesja e saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat në fillim shkurt dërguan në Tiranë zv-komandantin e Ushtrisë së SHBA-ve në Europë, Joseph Jarrard, i cili zhvilloi takime të rangut të lartë, gjithnjë përsa u përket përgatitjeve dhe rëndësisë gjeostrategjike të kësaj stërvitjeje.