Lojërat Olimpike të Tokios do zhvillohen pa spektatorë të huaj

Untitled collage 2021 03 20T190335.319 1100x620

Ndonëse u shtynë për një vit në pritje të stabilizimit të situatës me pandeminë e koronavirusit, Lojërat Olimpike të Tokios do të kenë ende mangësi në krahasim me të mëparshmet.

Organizatorët e këtij evenimenti kaq të shumëpritur nga sportdashësit që pritet të nisë më 23 korrik, vendosën që Lojërat Olimpike dhe ato Paraolimpike të zhvillohen pa praninë e spektatorëve të huaj në shkallët e stadiumeve.

Vendimi u mor pas një takimi të përbashkët të përfaqësuesve të Komitetit Olimpik dhe Paraolimpik Ndërkombëtar, Bashkisë së Tokios, Komitetit Organizues dhe qeverisë japoneze.

Në vlerësim të situatës së krijuar nga pandemia në shumë vende të botës, organizatorët u detyruan që për motive sigurie të ndalojnë hyrjen e tifozëve nga jashtë Japonisë, për të shmangur në këtë mënyrë një valë infektimesh.

Lojërat Olimpike do të ndiqen vetëm nga fansat vendas, por numri se sa persona do të lejohen në stadiume, nuk dihet ende.