Misteret e egjiptianëve të lashtë dhe sekretet e bukurisë

Misteret e egjiptianëve të lashtë janë të shumta, por truket e tyre të bukurisë nuk janë më sekret. Grimi mund të duket si një fenomen modern, një industri miliarda dollarëshe, por produktet kozmetike ishin po aq të rëndësishme në botën antike.

Që në epokat më të hershme të perandorisë egjiptiane, burra dhe gra nga të gjitha klasat shoqërore vijëzonin sytë, theksonin mollëzat, si dhe përdornin buzëkuqin. Imazhe të tilla, na i përcjellin më së miri dy mbretëreshat më të famshme të qytetërimit egjiptian: Kleopatra dhe Nefertiti. Këta ikona të bukurisë së antikitetit, përdornin produkte kozmetike jo vetëm për t’u zbukuruar, por edhe për trajtime në të mirë të lëkurës së tyre.

Janë të njohura ritualet e bukurisë së Kleopatrës, me banja qumështi dhe kripëra nga Deti i Vdekur, maska fytyre  me vajra dhe esenca lulesh e mjalti. Egjiptianët, gjithashtu, shpikën një metodë natyrore të depilimit me një përzierje të mjaltit dhe sheqerit. “Sugaring”, siç quhet sot, është rikthyer nga kompanitë e bukurisë si një alternativë më pak e dhimbshme.

Produktet që përdoreshin për të lyer sytë me nuanca të forta, kryesisht blu, mendohej se mbronin nga rrezet e forta të diellit, nga toksina të dëmshme, por edhe nga syri i keq. Ndonëse, në të vërtetë, shumë prej tyre rezultonin në fakt fatale, pasi prodhoheshin nga yndyra shtazore të rrezikshme. Kleopatra, p.sh. shtypte brumbujt, për të theksuar me të kuqe mollëzat dhe buzët e saj, ndaj ky ritual njihej edhe si “puthja e vdekjes”.

Gjithashtu, egjiptianët mendonin se të zbukuruarit ishte thelbësore, edhe përtej kësaj jete, jo më kot në varre gjenden bizhuteri, kozmetika, krehër, e çdo gjë që do t’i ndihmonte ata të ishin bukur edhe në udhëtimin e përjetshëm.

Estetika e veçantë egjiptiane ka ndikuar padyshim artin modern, përmes këtyre produkteve, ritualeve, dhe mjetesh që përdoreshin në funksion të një bukurie mahnitëse, por edhe shëndetit të lëkurës dhe flokëve.   

  • LAJMI I FUNDIT | Mblidhet kryesia e PD, Basha: Në parti ka vend për të gjithë
  • LAJMI I FUNDIT | Basha: Ne s'mund të kemi vizione të ndryshme për vjedhjen e zgjedhjeve
  • LAJMI I FUNDIT | Basha: Jam shënjestra e parë e fushatës denigruese