Pas 50 mijë tërmetesh, shpërthen vullkani në Islandë, riaktivizohet pas 800 vjetësh

Një vullkan ka shpërthyer në jugperëndim të kryeqytetit të Islandës, Reikjavik. Autoritetet vendase kanë bërë të ditur se çarja e tokës ka ndodhur në një gjatësi prej 500-700 metra në Fagradalsfjall. Shpërthimi i fundit aty ka ndodhur rreth 800 vjet më parë.

Në 3 javët e fundit, në Islandë janë regjistruar më shumë se 50 mijë tërmete. Në vitin 2010, shpërthimi i një tjetër vullkani në Eyjafjallajokull pezulloi qarkullimin ajror në të gjithë Europën. Megjithatë, në rastin e fundit, autoritetet janë shprehur se nuk pritet që të lëshohet shumë hi vullkanit duke mos sjell pasoja për fluturimin e avionëve.

Para shpërthimit të vullkanit në zonë u regjistrua edhe një tërmet me magnitudë 3,1 i shkallës rihter.