Ripërsëritja e premtimeve, 8 vite më parë Rama akuzonte Berishën për ujin

Pas dy mandatesh pushtet, kryeministri ende nuk ka realizuar një nevojë bazike për qytetarët, për të cilët ishte angazhuar në vitin 2013.

“Për çështjen e ujit të pijshëm, ne do të angazhohemi me mish e me shpirt që çdo shtëpi e këtij vendi të ketë ujë për të pirë dhe ujë për t’u larë”, premtonte Rama para 8 viteve.

Tani thotë se i duhet një mandat i tretë për ta bërë këtë, por Edi Rama i sotëm, me siguri nuk do i pëlqente atij të 8 viteve më pare, kur në opozitë komentonte premtimet e Sali Berishës kryeministër.

“8 vjet në pushtet. Të isha në vendin e tij do kisha thënë, më falni, nuk arrita dot, bëra sa munda, por meqenëse nuk ju solla dot ujë, nuk e meritoj një mandat të tretë dhe do largohesha”, shprehej Rama në vitin 2013.

Kur ende ishte në opozitë, mungesën e ujit në rubinetat e qytetarëve, Rama e lidhte me mungesën e shtetit.

“Kjo tregon që nuk ka shtet, tregon që shteti nuk është për qytetarët. Kjo e ndan qytetërimin me shtetin, nga një popull pa shtet”. Pas dy mandatesh qeverisjeje, ku lajtmotiv kryesor kishte shtetbërjen, Rama vijon të premtojë ujë, duke provuar se përveç këtij premtimi, të pambajtur ka edhe atë për të bërë shtet.