Bindja Demokratike prezanton kandidatët në Qarkun e Fierit

patozi 1 1100x620

Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, prezantoi dje kandidatët për deputetë në Qarkun e Fierit, duke theksuar se pret një rezultat domethënës prej tyre në zgjedhjet e 25 prillit.

“Ekziston një perceptim i gabuar në Shqipëri, sikur në Fier nuk ndryshon asgjë dhe situata politike ka ngrirë, gjithmonë në avantazh të thellë të Partisë Socialiste. Dhe se çfarë të ndodhë me qeverinë apo me opozitën, rezultati këtu është i fiksuar. Unë mendoj se kjo legjendë nuk është e vërtetë dhe është fyese dhe përçmuese për qytetarët e Fierit, sepse i bie që ata të konsiderohen si militantë të verbër, që nuk reagojnë në asnjë rrethanë. Unë kam besim se ne do të marrim një rezultat të mirë në Fier kësaj radhe, sepse qytetarët do të dinë të bëjnë diferencën mes atyre, që i kanë gënjyer dhe mashtruar për dekada me radhë, dhe të tjerëve që po përpiqen për një Shqipëri normale”, deklaroi Patozi.

Patozi tha më tej gjatë takimit se Bindja Demokratike do të jetë forcë përcaktuese qeverisëse në këto zgjedhje dhe se çelësi i suksesit qëndron tek projekti për ndryshimin e ambientit politik në Shqipëri, tek integriteti i garës së 153 kandidatëve dhe tek lista e hapur, që mundëson edhe garë të ndershme brenda llojit: “Nuk ka nevojë Shqipëria për të rrëzuar apo për të damkosur njerëz, ndryshimi nuk vjen vetëm po të fitosh 71 deputetë, por objektivi arrihet duke mos i lënë 71 mandate të gjithë bashkë në duar të këqija”.

Në takim e mori fjalën edhe koordinatorja e Bindjes Demokratike për Qarkun e Fierit, Valbona Mezini, e cila u shpreh: “Edhe pse unë kam pak më shumë vite se ju në politikë, prapë ndjej veten të sfiduar nga disa prej jush dhe për këtë jam e lumtur pasi rezultati do të jetë i përbashkët për të qenë fitues në Fier”.

Në mbyllje të fjalës së vet, Patozi u kërkoi kandidatëve të ishin të motivuar deri ditën e fundit të zgjedhjeve, në mënyrë që rezultati të ishte i sigurt, jo vetëm në Fier, por edhe në gjithë Shqipërinë.