Pagani prezanton supermakinën vetëm për pista

Pagani ka prezantuar “xhevahirin” e saj më të ri: Pagani Huayra R, një supermakinë me të gjitha avancimet teknologjike të mundshme të markës italiane dhe si e tillë, mund të përdoret vetëm në pista garash.

Gjithashtu, edhe mes miliarderëve janë të paktë ata që mund ta shijojnë, pasi duhet të jesh shumë i kualifikuar që të pilotosh këtë makinë me 850 kuaj fuqi, falë motorit V12.

Do të prodhohen vetëm 30 Pagani Huayra R dhe secila prej tyre do të kushtojë 2,6 milionë euro. Duke shtuar taksat, çmimi i kësaj supermakine do të shkojë rreth 3 milionë euro.

Për më tepër, duke qenë një makinë kaq speciale, Pagani do të organizojë gara të veçanta për pronarët e makinës, në pistat më të mira të botës, ku do të kenë edhe ndihmën e pilotëve profesionistë për t’i nxjerrë maksimumin këtij supermjeti.

Marka Pagani, që zakonisht nuk bën makina për pista, thotë se për këtë prodhim të ri të saj është frymëzuar nga makina legjendare si Ford GT40, Porsche 917 dhe Ferrari P4.