Perfeksioni matematik në arkitekturë, ndërtesat që respektojnë “raportin e artë”

Ndërkohë që shijet personale, autori dhe konteksti historik janë tejet të rëndësishme në vlerësimin e një vepre arti, padyshim që edhe gjeometria ka peshën e saj në një vlerësim.

Madje, si shkencë ekzakte, matematika na ofron edhe një renditje, tejet racionale, të veprave që janë ndërtuar ndër shekuj me harmoninë më të madhe.

Veçanërisht, disa studiues kanë përpiluar një renditje duke u bazuar mbi respektimin e asaj që quhet “raporti i artë”, një konstante matematike e identifikuar në 1,6180339887, që gjithmonë ka qenë pikë referimi në veprat arkitekturore klasike, por jo vetëm, si simbol i harmonisë.

Sipas këtij parametri, katedralja e St. Paul në Londër është vepra që më shumë i afrohet këtij raporti, me 72.28%.

Por vepra arkitektonike moderne mund të respektojnë po aq mirë raportin e artë. Pikërisht një vepër gjigante e viteve të fundit renditet në vend të dytë, Marina Bay Sands, në Singapor, tashmë një nga ndërtesat ikonike të qytetit shtet, që respekton me 70.88% raportin.  

Në Londër ndodhet e treta në renditje, abacia e Westminsterit, ndërkohë që për vendin e katërt duhet të shkojmë sërish në Azi, në kështjellën perandorake të Osakës në Japoni, i ndjekur nga katedralja e Shën Vasilit në Moskë, një nga monumentet më të fotografuara të Sheshit të Kuq.

Vetëm gjashtë ndërtesa në 20 të parat janë ndërtuara pas shekullit të 19-të, por kritikët e artit na qetësojnë. “Matematika nuk mund të aplikohet totalisht tek emocionet tona, godinat janë çmendurisht komplekse, dhe ne adhurojmë edhe ato që nuk janë perfekte”.