Përplasja Boçi-Luca, Rama: Veprim i dëshpëruar i atyre që e dinë që do të dështojnë

 Prezantimin e listës së kandidatëve në Elbasan, kryeministri Rama zgjodhi ta hapë duke komentuar për herë të parë përplasjen e biznesmenit Gjergj Luca me Luçiano Boçin.

“Imagjinoni sikur dhunën ndaj një biznesmeni, ndaj një punëdhënësi aq të madh, ta bënte Taulant Balla. E imagjinoni dot llumin që do kishte shpërthyer? Njerëzit e dëshpëruar bëjnë veprime të dëshpëruara. Është një veprim i dëshpëruar, sepse e dinë që do dështojnë në 25 prill”, tha Rama.

Akuzat i vijoi ndaj gjithë koalicionit të djathtë, ndërsa më i ashpër u tregua për marrëveshjen me LSI-në.

“Duan sot të marrin votën për të qeverisur. A e kuptoni që të gjithë këto që janë pjesë e këtij koalicioni janë pengmarrësit, të cilët e kanë të pamundur të qeverisin, pasi secili kërkon copën e vet. Kontratë kapje për fyti të njëri-tjetrit, ku pjesa e fshehtë thotë se çfarë do të marrë nesër Monika Kryemadhi, bashkë me çetën e saj të harbuar. Nard Ndoka është më i vlefshmi se na bën të qeshim”, vijoi ai.  

Ndërsa komentonte listën e demokratëve, kryeministri nuk e kurseu ironinë. 

“Dash Sula është kthyer! Dash Sula vetë! Dash Sula! I cili në pikën më impresionuese të karrierës ke pasur në stadiumin e Peqinit. Për ato  që nuk lidhin emrin me figurën, është ai pa mjete të cilit bënë xhiro në media, ku doli si laraskë, se shqiponjë është fjalë e madhe, doli si laraskë me pistoletë për të kapur arbitrin. Me Dash Sulën fiton Shqipëria! Shqipëria fiton me Dash Sulën!”, ishin fjalët e tij.  

Edhe në këtë takim, Rama kritikoi Lulzim Bashën për grumbullimet gjatë takimeve elektorale, ndërsa shtoi se Partia Socialiste do të gjejë mënyra të tjera për të angazhuar qytetarët.