Vrasja në Durrës, autorët u larguan drejt Rinasit. Në një javë, 4 makina të vjedhura në qytet

Policia dhe prokuroria kanë arritur të ndjekin makinën e dyshuar të autorëve pas vrasjes së Edmond Koçit, në Durrës. Burime pranë grupit hetimor thanë se kamerat e sigurisë kanë ndihmuar ndjekjen e itinerarit të autorëve të dyshuar deri në afërsi të Rinasit, ndërsa policia pritet të sekuestrojë dhe kamera të tjera të bizneseve përgjatë rrugës që mund të ndihmojnë identifikimin e tyre apo dhe vendndodhjen.

Ende nuk bëhet e ditur se me çfarë mjeti u larguan autorët, ndërsa krimi i rëndë i ndodhur në Durrës risolli dhe një herë vëmendjen tek automjetet e vjedhura që përdoren nga atentatorët. Atentatet mafioze në Shqipëri, ndonëse mund të ndryshojnë për nga mënyra e ekzekutimit, kanë një të përbashkët: pothuajse të gjitha lënë pas një automjet të djegur, që rezulton më pas i vjedhur.

Mësohet se Benzi i vjedhur dhe që u përdor në vrasje është e katërta makinë e vjedhur në Durrës brenda një jave. Dy ditë para vrasjes, në qytetin bregdetar u vodh një makinë tip Benz me targa AA909RV, ndërsa një ditë para krimit, një Range Rover me targa AA 110 XA.

Ndërkohë, po gjatë mbrëmjes së djeshme, në Elbasan, një tjetër Benz u vodh, targat e të cilit mësohet se janë AA 066 GS. Vrasësit përdorin këto mjete me targa të vjedhura po ashtu, ndërsa gjithmonë identifikimi i tyre është thuajse i pamundur.