Basha i emocionuar në prezantimin e librit të tij të parë: Letër e hapur për shqiptarët

Në prezantimin e librit të tij të parë, “Misioni im”, Lulzim Basha u shfaq i emocionuar në bashkëbisedimin me të rinjtë në Qytetin Studenti.

“Në politikë të jepet mundësia të përballesh me lloj-lloj përvojash dhe kjo të fal shumë emocione, të fal shumë adrenalinë e natyrisht të pajis me një përvojë të rrallë do të thoja, por për mua kjo është hera e parë, nuk kam pasur një përvojë të tillë përpara. Sigurisht kam ndjekur nganjëherë edhe nga afër siç kemi sot audiencë studentësh këtu në Qytetin Studenti prezantime librash apo monografisë, por nuk kam qenë kurrë i ulur krah këtij botuesi duke prezantuar një libër timin. Sigurisht do isha i pasinqertë t’ju thoja që nuk e kam menduar, në fakt e kam menduar që 10 vjeç. Dëshira e parë ka qenë të shkruaja dhe ky frymëzim vinte edhe nga anëtarë të rrethit të ngushtë familjarë që janë shkrimtarë apo ishin shkrimtarë sepse janë ndarë nga jeta dhe dashuria ime për letërsinë, për librin …daton që nga fëmijëria e hershme, në mendimin e parë duhet ta kem lexuar diku në moshën pesë apo gjashtë vjeç dhe bashkë me të m’u hap një botë e tërë e cila ma ngacmonte dhe ma ngacmon fantazinë, imagjinatën si asnjë art tjetër i lëvruar.”

Më tej, kreu i PD-së theksoi se libri nuk është një rrëfim autobiografik, por një letër e hapur. “Nuk është një rrëfim autobiografik, siç e tha Flutura, me të drejtë ndoshta mund të kishte qenë edhe më i pasur me detaje personale. Ndonëse në këndvështrimin tim edhe natyrën time, ka goxha bile në një moment tjetër do thoja ka më shumë se ç’duhet duke pasur parasysh natyrën time. Por nuk është një rrëfim autobiografik, nuk është as thjesht një përkthim i programit tonë politik, i planit tonë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza sepse edhe për faktin e thjeshtë se libri ka nisur të avizohet kohë përpara nxehjes së motorëve elektoral, por është një letër e hapur drejtuar shqiptarëve, në veçanti rinisë për një angazhim të drejtpërdrejtë në politikë, për një pjesëmarrje në jetën publike si rruga e vetme për të siguruar ndryshimin, si rruga e vetme për të siguruar atë që duam”, u shpreh Basha.