Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB RAMA frame 159 1100x620

Kryeministri Rama vizitë në Francë, me ftesë të Macron

Kryeministri Edi Rama niset sot në Paris të Francës, ku pritet të takohet me presidentin Emmanuel Macron. Lajmin e ka bërë të ditur faqja zyrtare e Presidencës franceze, e cila ka njoftuar se takimi dypalësh do të mbahet në orën 13:20 pasuar nga një drekë e përbashkët në Elysee. Nuk dihet ende se çfarë çështjesh janë në tryezë për diskutim në këtë vizitë të Ramës, me ftesë nga presidenti Macron. Takimi i fundit mes liderëve të vendeve ishte ai i 15 majit të vitit 2018.

Zaev rikonfirmohet në krye të LSDM: Jemi lokomotiva që e çon vendin përpara

Zoran Zaev konfirmohet si kryetar i LSDM në Maqedoninë e Veriut, një post të cilin e merr përsipër për të tretën herë. Në zgjedhjet brenda kësaj partie që u mbajtën ditën e djeshme, Zaev nuk kishte asnjë rival përballë. “E ndjej si përgjegjësi dhe detyrim të madh të çoj përpara pritjet tuaja”, tha Zaev në fund të votimit kundër të cilit votuan 888 anëtarë nga 60 840 që ushtruan të drejtën e votës. “Në 4 vitet e ardhshme”, vijoi ai, “LSDM do të jetë lokomotiva që çon vendin përpara”.

Kosovë, mbahet sot seanca e parë e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit

Në Kosovë mbahet sot seanca konstituive e Kuvendit me të zgjedhurit e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. “Kjo seancë do të mbahet në orën 10:00, teksa përgatitjet për mbajtjen e saj do të kryhen konform procedurave në fuqi”, shkruhet në njoftimin e bërë nga presidentja në detyrë e vendit, Vjosa Osmani. 58 vende përfaqësohen nga Vetëvendosja e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 19, Lidhja Demokratike e Kosovës me 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8. Dita e sotme shënon edhe fillimin e ngritjes së institucioneve të reja.

Pandemia në Maqedoninë e Veriut, qeveria vendos sot nëse do të vijojë masat

Në Maqedoninë e Veriut vendoset sot në lidhje me masat kufizuese për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ditën e hënë përfundon afati 12-ditor i vendosur nga autoritetet për përdorimin e orës policore, por shifrat e reja të të infektuarve nuk flasin për përmirësim. Të shtunën, vendi regjistroi edhe shifrën më të larte ditore të viktimave me 24 të tillë. Sikurse deklaroi për mediat, ministri i Shëndetësisë, Felipçe, qeveria do të respektojë mendimin e ekspertëve, por mbetet e gatshme të zbatojë masa shtesë restriktive, nëse masat e deritanishme nuk japin efektet e dëshirueshme.

Numri i lartë i rasteve ditore, Gjermania pritet të zgjasë masat

Pandemia e Covid-19 dhe masat kundër përhapjes së saj janë temë e diskutimit të sotëm në Gjermani mes kancelares Merkel dhe 16 kryeministrave të landeve. Sikurse pohon një dokument i shpërndarë në fundjavë vendi pritet të zgjasë pa limit kufizimet aktuale si pasojë e rritjes së incidencës së të infektuarve gjatë javës së fundit. Sipas institutit “Robert Koch”, vendi regjistroi dje 103 të infektuar për 100 mijë banorë në krahasim me 72 të tillë që ishte një javë më parë. Izolimi do të hiqet vetëm kur kjo shifër të arrijë në 50 thonë autoritetet.

“Pandemia në BE do të vihet në kontroll brenda muajit korrik”

“Pandemia në BE do të vihet në kontroll brenda muajit korrik”. Këtë pohim e bëri Komisioneri për Tregtinë e Brendshme në BE, Thierry Breton, sipas të cilit nëse duhet marrë parasysh një datë simbolike ajo do të ishte 14 korriku. “Gjithnjë nëse dërgesat e vaksinave i përmbahet kontratave”, pohoi komisioneri. Sepse sipas Breton, BE-ja e di që kjo pandemi ka vetëm një zgjidhje që mbetet vaksinimi i popullatës. Deri në qershor, blloku do të furnizohet me rreth 350 milionë doza vaksinash.