Dita e Nevruzit, Meta shmang Kryemadhin dhe Kimin

Zyrtarët e lartë shtetërorë dhe diplomatë të huaj dhanë urimet e tyre për festën bektashiane të Nevruzit. Por, uratat pranë Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë u shoqëruan edhe me ndryshime oraresh në moment të fundit.

Çifti presidencial, Ilir Meta-Monika Kryemadhi, nuk shkuan bashkë në përcjelljet e urimeve pranë Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve.

Zyra e Shtypit e Presidencës njoftoi se në orën 13:00, Kreu i Shtetit do të ishte i pranishëm pranë Kryegjyshatës, por orari i tij u spostua me 60 minuta, jo vetëm për shkak të zonjës së tij. 

E para ishte bashkëshortja Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së, e cila erdhi pranë selisë bektashiane në orën që kishte njoftuar Meta. E dyta ishte ambasadorja Yuri Kim, e cila hyri në Kryegjyshatë pasi u largua kryetarja e LSI-së.

Ardhja e ambasadores amerikane detyroi Kreun e Shtetit të presë sërish, derisa diplomatja të largohej, me të cilën u shkëmbyen në oborr, secili në automjetin e vet. 

Në prononcimin e tij, Presidenti zgjodhi të mos japë mesazhe të drejtpërdrejta politike, por duke i futur mes rreshtave: “Pranvera dhe demokracia janë në sintoni me njëra-tjetrën, për të kaluar aq më tepër këtë dimër të gjatë, me vështirësi të mëdha. Besoj se shqiptarët presin shumë nga e ardhmja, sidomos nga kjo pranverë dhe e kanë kuptuar se fuqia e ndryshimit janë vetë ata”. 

Urimet pranë Kryegjyshatës i përcollën edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë. 

  • LAJMI I FUNDIT | Mblidhet kryesia e PD, Basha: Në parti ka vend për të gjithë
  • LAJMI I FUNDIT | Basha: Ne s'mund të kemi vizione të ndryshme për vjedhjen e zgjedhjeve
  • LAJMI I FUNDIT | Basha: Jam shënjestra e parë e fushatës denigruese