Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Djathi me krimba, më i rrezikshmi në botë

Nga A2 CNN
22 Mars 2021, 15:51 | Lifestyle

Ishulli italian i Sardenjës, përveç plazheve të mrekullueshme me rërë të bardhë dhe ujërave smerald, tërheq gjithmonë turistë të panumërt edhe për kulinarinë e pasur, por ndonjëherë edhe të pazakontë. Cnn Travel na njeh me prodhimin e një djathi që u konsiderua nga Rekordet Guinnes, në vitin 2009, si djathi më i rrezikshëm në botë.

Miza e djathit (Piophila casei), është sekreti i këtij produkti bulmetor, të quajtur “casu marzu”. Kjo kandërr lëshon vezët në poret e hapura të djathit të llojit “pecorino” ose “fiore sardo”. Mandej, larvat e sapoçelura nga vezët, nisin rrugën e tyre nëpër të çarat e djathit, duke realizuar transformimin e produktit në një djathë të butë kremoz. Kur ky proces ka përfunduar, mjeshtrit e prodhimit të bulmetit, heqin pjesën e sipërme të djathit, për të marrë pjesën e brendshme, e cila është pothuajse e paprekur nga krimbat.

Nëse jeni në gjendje të kapërceni neveritjen dhe të provoni djathin “marzu”, duhet thënë se ai ka një aromë të fortë të kullotave mesdhetare dhe një shije pikante që qëndron për orë të tëra. Disa e konsiderojnë afrodiziak, të tjerë thonë se mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin e njeriut, pasi krimbat mund të mbijetojnë dhe të shkaktojnë mikroshpime në zorrët e njeriut, por deri më tani, asnjë rast i tillë nuk është dëshmuar.

Djathi është prodhuar për shekuj me radhë, në rajone të ndryshme të Sardenjës, duke tërhequr vëmendjen edhe të kuzhinierëve me famë në botë, si Gordon Ramsay.

Megjithëse është i mbrojtur si një produkt tradicional, ende konsiderohet e paligjshme nga qeveria italiane të tregtohet, për shkak të ligjeve që ndalojnë konsumimin e ushqimit të infektuar nga parazitët, që nga viti 1962. Ata që shesin djathin mund të përballen me gjoba të larta, deri në 50,000 euro. Në vitet e fundit, Bashkimi Evropian ka filluar të studiojë dhe ringjallë nocionin e ngrënies së këtyre produkteve, çka mund t’i hapi rrugë edhe djathit “marzu” të shitet lirisht në të gjithë botën.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani