“Guri i kuq”, stacioni që dikur lidhte juglindjen

Gati një dekadë më parë, nga ky stacion hekurudhor udhëtonin mijëra pasagjerë me tren, nga Korça dhe Pogradeci drejt Elbasanit apo Tiranës, si një mënyrë alternative me kosto më të ulët.

Sot, ky stacion i njohur si Guri i kuq në Pogradec, hesht dhe duket sikur tretet nën vete nga dita në ditë.

Ish-punonjës të hekurudhës kujtojnë vitet e punës dhe shprehen se hekurudhën e mbytën partitë politike, me pretendimin se ishte jo rentabël.

Jo vetëm për ish-punonjësit, por edhe vetë qytetarët që dikur e përdornin udhëtimin me tren, shprehen se ky shërbim duhet të rikthehet sa më parë edhe si një mundësi për shtresën e varfër, por edhe si një udhëtim më i sigurt.

Premtimet për projekte ndërkombëtare të hekurudhës, për ish-punonjësin duken si “déjà vu” që përsëriten në çdo fushatë elektorale.

E derisa këto projekt-premtime fushatash të zbatohen, qytetarët dhe ish-punonjësit e hekurudhës në Gurin e Kuq duhet të mbajnë gjallë kujtimet.