Kalemaj: Nuk vidhen zgjedhjet në kutitë e votimit, shiten dhe blihen më përpara

Analisti Ilir Kalemaj, në studion e “Absolut 4”, u shpreh se “ndëshkimet e reja të parashikuara në Kodin e ri Penal mund të çojnë në një lloj stepjeje” sa i përket krimeve zgjedhore.

Por, Kalemaj shtoi se “zgjedhjet në Shqipëri nuk vidhen në kutitë e votimit”.

“Zgjedhjet shiten dhe blihen para se të shkojmë në zgjedhje. Ndëshkueshmëria për shitblerjen e votës, që është më e vështirë për t’u përdorur si provë kriminale në gjyq, është thembra e Akilit”, deklaroi Kalemaj.

Gazetari i A2, Armand Bajrami nënvizoi se “duhet të nisë që tani puna e SPAK-ut dhe Prokurorisë, por mendoj se do të ketë një sofistikim të mënyrës së shitblerjes së votes”.

“Pasi u ekspozuan paligjshmëritë në përgjime telefonike, do të ndryshojnë bisedat. Personat e angazhuar në pazare për votën do të jenë më të kujdesshëm. Mendoj se policia duhet të angazhohet që tani për t’i paraprirë skemave të shitblerjes së votës”, tha Bajrami.