Kualifikueset e Botërorit, Shqipëria nis përgatitjet. Në Andorra për 3 pikët

ajeti cikalleshi 1100x620

Përulësi, motivim maksimal dhe besim. Kështu, Shqipëria nis përgatitjet për debutimin në kualifikueset e Botërorit 2022. Ekipi është grumbulluar në Barcelonë për trasfertën me Andorrën.

Kundërshtari nuk nënvlerësohet, edhe pse objektivat janë të qartë. Duke nisur nga mbrojtësi Arlind Ajeti, i rikthyer në Kombëtare pas nëntë muajsh: “Më duket sikur kam kaluar më tepër kohë larg kombëtares. Ndeshjet janë të vështira dhe nuk nënvlerësojmë asnjë kundërshtar. Hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin. Nuk duhet t’i nënvlerësojmë, duke nisur nga Andorra, sepse kemi luajtur këtu dhe e dimë sa e vështirë është”.

Nisja e mbarë e eliminatoreve është objektivi kryesor. Në plan më të gjerë, sipas Sokol Cikalleshit, sukses do të ishte edhe kalimi në renditje i Hungarisë: “Objektiv primar është rezultati pozitiv prej ndeshjes së parë. Është ndeshje që duhet vlerësuar, kundërshtari është më i dobët në letër, por historia ka treguar që kemi patur vështirësi. Duhet të futemi në fushë jo për të shënuar individët, por për ta fituar ndeshjen. Anglia është ekipi më i fortë i grupit, do të ishte sukses nëse kalojmë Hungarinë”.

Shqipëria luan me Andorrën më 25 mars. Tre ditë më pas, kuqezinjtë presin Anglinë në Tiranë, ndërsa ndeshen edhe me San Marinon më 31 mars.