Mediu: Rama ka shkatërruar çdo element të shtetit, 25 prilli, dita e republikanëve

Kryetari i Partisë Republikane, njëkohësisht kandidat për deputet, i shtati në listën e “Aleancës për Ndryshim” në Tiranë, Fatmir Mediu, zhvilloi disa takime me banorë dhe biznese në Njësinë nr.7 në kryeqytet.

Më pas, Mediu zhvilloi takim me koordinatorët e qarkut Tiranë, në çdo zonë administrative dhe zgjedhore.

“Ka një dëshpërim shumë të madh të shqiptarëve në raport me qeverinë. Edi Rama ka shkatërruar çdo element të shtetit, nuk ka barazi përballë ligjit, nuk ka institucione funksionale, nuk ka institucione që i shërbejnë qytetarëve, por kemi një strukturë tërësisht kriminale, të korruptuar, e cila po kërkon që të korruptojë dhe të manipulojë edhe zgjedhjet.

Edi Rama ka shkatërruar ekonominë e këtij vendi, ka shkatërruar bizneset, ka shkatërruar mundësinë e punësimit, dhe ka krijuar eksodin më masiv të shqiptarëve, në mënyrë të qëllimshme, largimin e të rinjve dhe të rejave, profesionistëve nga ky vend, në mënyrë që ta kontrollojë shoqërinë shqiptare dhe të kontrollojë dhe proceset zgjedhore, të mbajë pushtetin për qëllime të tij korruptive.

Jemi në politikë sepse besojmë tek e mira dhe 25 prilli është dita e republikanëve, për arsyen sepse janë njerëz të cilët besojnë në Zot, besojnë në familje, besojnë në komb, besojnë në të ardhmen e këtij vendi.

25 prilli është dita e forcës së shqiptarëve dhe republikanët janë pjesë e kësaj force, për të ndryshuar Shqipërinë.

25 prilli është bashkimi i shqiptarëve kundër së keqes dhe ne që besojmë, që duam familjen, duam Shqipërinë, duhet të bashkohemi me të gjithë shqiptarët, për t’i bërë ballë të keqes, të një regjimi të korruptuar të Edi Ramës.

25 prilli është dita e përkushtimit karshi dinjitetit dhe lirisë, familjeve tona, kombit tonë, dhe ky është një motiv jashtëzakonisht i madh për të dalë dhe për të kërkuar që të votojmë në mënyrë masive, për të shmangur manipulimin që do të bëjë Edi Rama.

25 prilli është dita ku ne, nëpërmjet besimit garantojmë ato çka na i ka falur Zoti, lirinë, jetën, mundësinë për të ndërtuar lumturinë dhe nuk mund t’i lëmë peng të Edi Ramës.

25 prilli është detyra jonë qytetare, detyra jonë si shqiptarë, për t’u bashkuar kudo, në çdo cep të Shqipërisë, që ne të votojmë në mënyrë masive për t’a kthyer Shqipërinë në rrugën europiane, në rrugën e shpresës, mundësisë, prosperitetit dhe mirëqenies.

Ne këto duhet t’i kemi pjesë të mesazhit tonë kudo që shkojmë. Duhet patjetër që në këtë mungesë shprese dhe besimi, ne të jemi mesazherë të shpresës dhe besimit”, tha Mediu.