“Nuk do kemi nevojë për Sputnik V”, Putin reagon ndaj BE: Ju mbroni interesat tuaja, jo njerëzit

Ekspertët e Agjencisë Europiane të Barnave do të zbarkojnë në Rusi më 10 prill me një detyrë të rëndësishme. Ata do të kontrollojnë të dhënat e vaksinës anti-covid, Sputnik V, që më pas të dalin me një vendim lidhur me sigurinë, efektshmërinë dhe përdorimin e saj.

Njoftimi për vizitën e ekspertëve erdhi nga ministri rus i Shëndetësisë, Mikhail Murashko, gjatë një takimi me presidentin, Vladimir Putin, lidhur me imunizimin e qytetarëve ndaj koronavirusit. Shefi i Kremlinit iu përgjigj edhe reagimit të Bashkimit Europian që vijon të refuzojë përdorimin e Sputnik V.

“Deklaratat e funksionarëve të BE-së se nuk kanë nevojë për Sputnik V, mund të tregojnë vullnetin e tyre për mbrojtjen e interesave të disa kompanive në vend të personave”, komentoi ai.

Reagimi i presidentit rus erdhi pasi një zëdhënës i Komisionit Europian bëri me dije se blloku nuk ka asnjë plan apo procedurë për përfshirjen e Sputnik V në portofolin e vaksinave.

Megjithatë, dera nuk është e mbyllur përgjithmonë dhe gjithçka do të varet nga rrethanat. Ndërkohë, Putin bëri të ditur se gjatë të martës do të marrë dozën e parë të vaksinës ruse që lufton Covid-19. Gjithashtu njoftoi nënshkrimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare për furnizimin me vaksinën Sputnik V për 700 milionë persona.

Presidenti rus shtoi se është jetësore të rriten kapacitetet prodhuese të dozave për përdorim të brendshëm. Aktualisht 6.3 milionë rusë kanë marrë të paktën një dozë, ndërsa 4.3 milionë janë imunizuar totalisht ndaj Covid-19.

  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 1 viktimë në 24 orët e fundit, 39 raste
  • LAJMI I FUNDIT | MSH: 71 pacientë në spitale, 7 në terapi intensive, asnjë në intubim
  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 1 viktimë në 24 orët e fundit, 39 raste