Plarent Ndreca: Asnjë nuk është i sigurt në lista, synojmë 20 mandate në Tiranë

Gara elektorale ka hyrë në fazën e saj të nxehtë dhe kandidatët për deputetë kanë intensifikuar punën për sigurimin e votave të nevojshme për mandatin e ardhshëm në parlament.

I renditur i 20 në listë, kandidati i PS-së në qarkun e Tiranës, Plarent Ndreca ishte i ftuar në Ditarin e orës 13:00 në A2, ku shpjegoi se subjekti ku ai bën pjesë synon të marrë 20 mandate në kryeqytet.

Sipas Ndrecës, sistemi i ri zgjedhor i ka detyruar të gjithë të punojnë për të marrë sa më shumë vota dhe për këtë arsye PS-ja ka vendosur disa nga personalitetet e saj në listën jo të sigurt për të synuar maksimalizimin e votës.

“Sipas analizave të bëra nga Partia Socialiste për këto zgjedhje numri 20 është krejtësisht i mundur dhe i siguruar, referuar dhe faktit që në Tiranë zgjedhjet e kaluara morëm 18 mandate. Në Tiranë, janë shtuar dy mandate dhe elemente të tjera si puna e bashkisë dhe futja e disa bashkive të tjera në qarkun e Tiranës të cilat e bëjnë krejtësisht të mundur marrjen e 20 mandateve nga PS. Kështu që mandati i 20-të nuk është problematik, por sistemi i ri zgjedhor patjetër që sjell mundësinë që kandidatë të tjerë mund të thyejnë listën dhe të marrin më shumë vota.

Strategjia e re e PS-së i përshtatet kodit të ri zgjedhor, pasi të gjithë punojnë për të marrë vota. Të gjithë nuk janë të sigurt në lista dhe asnjëri nuk është pamundësi, të gjithë janë në garë. Ekipi është i ndërtuar në mënyrë të tillë, që personalitet janë vendosur jashtë listës së sigurt për të maksimalizuar votën”