Protesta të dhunshme në Angli, shkatërrohet stacioni i policisë, digjen automjetet

Protesta të dhunshme nën thirrjen “Kill The Bill” u zhvilluan të dielën në Bristol të Mbretërisë së Bashkuar, kundër një projektligji që fuqizon rolin e policisë në demonstrata.

Ai që nisi si një grumbullim paqësor i rreth 5 mijë aktivistëve, mori një tjetër rrjedhë dhe si pasojë gjashtë oficerë u plagosën rëndë.

Stacioni i policisë Bridewell u bllokua dhe qindra persona u panë duke thyer xhama dhe duke u vënë flakën automjeteve të policisë.

Me gjithë kundërshtimin publik dhe votat kundër, projektligji do t’i japë policisë më shumë pushtet për të vendosur kushte në protesta.

Ndërkaq, protestat aktualisht janë të ndaluara nën masat e bllokimit, ku nuk lejohen grumbullimet e njerëzve.

Ndonëse Britania e Madhe renditet ndër vendet e para në botë për ecurinë e mirë të procesit të vaksinimit, autoritetet i tremben një vale të re infektimesh dhe për këtë arsye kanë hezituar të lehtësojnë masat në zonat më të rrezikuara.