Punësimi në shtet, 15.9% e vendeve të punës i takojnë administratës

Humbja e shumë vendeve të punës për shkak të pandemisë nga njëra anë dhe rritja e punësimeve në administratë nga ana tjetër, kanë bërë që të punësuarit në shtet të zënë sot 15,9% të numrit total të vendeve të punës në Shqipëri.

Ky përbën nivelin më të lartë të 5 viteve të fundit, duke zhbërë një pjesë të punës për reformën në administratën publike, një nga rekomandimet kryesore të Bashkimit Europian.

Megjithatë, punësimet elektorale janë një fenomen që nuk është larguar as përgjatë viteve të fundit, siç tregojnë vendimet e gjykatave. Përgjatë vitit të kaluar, vetëm detyrimet e prapambetura të qeverisë qendrore për vendime gjyqësore lidhur me largimet e padrejta nga puna arritën në 3,5 miliardë lekë, nga 2,6 miliardë lekë një vit më parë. Ndërsa në pushtetin lokal, shuma e këtyre detyrimeve llogaritet sot në 814 milionë lekë.

Krahas një administrate më pak eficiente, punësimet e fryra në administratë krijojnë kosto të mëdha për taksapaguesit dhe ndikojnë në një model ekonomik të varur ndjeshëm nga shteti, për shkak se demoralizojnë një pjesë të forcës punëtore.