Qeveria e re në Kosovë, zgjedhja e Presidentit, sfida e Vetëvendosjes

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se qeverinë do ta formojë me partitë e komuniteteve jo serbe, duke përjashtuar kështu partitë shqiptare dhe Listën Serbe. Edhe në qeverinë Kurti 1, Lista Serbe nuk kishte qenë pjesë e koalicionit qeverisës, por siç ia garanton edhe Kushtetuta, partia që përfaqëson komunitetin serb, kishte udhëhequr dy ministri.

Por ndërsa për formimin e ekzekutivit, Lëvizja Vetëvendosje është me e sigurt, presidentin nuk mund ta zgjedhë e vetme. Sipas kushtetutës, që një kandidat të zgjidhet president, duhet të sigurojë 2/3 e votave ne raundet e para, ose një shumicë prej 61 deputetësh në raundin e tretë, por me pjesëmarrjen e të paktën 80 ligjvënësve në sallë.

Për këtë post, Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmanin, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit fitoi numrin më të madh të votave, përkatësisht mbi 300 mijë të tilla. Por PDK dhe AAK kanë hedhur poshtë mundësinë që të votojnë kandidatën e Lëvizjes Vendvendosje.

Kryetari i Partisë Demokratike të kosovës, përsëriti qëndrimin e tij të hënën, se Osmani është figurë përçarëse. Lidhja demokratike e Kosovës nuk ka marrë ende një vendim, ndërsa ka paralajmëruar bisedime me Osmanin. Dështimi për të zgjedhur presidentin, mund të çojë vendin sërish në zgjedhje të parakohshme.