SHBA pranë autorizimit të AstraZeneca, 79% e efektshme ndaj Covid-it simptomatik, ofron mbrojtje edhe për të moshuarit

Rezultatet e shumëpritura të testimit të vaksinës së AstraZenecas në Shtetet e Bashkuara konfirmojnë se ajo është e sigurt dhe tejet e efektshme. Në eksperiment morën pjesë më shumë se 32 mijë vullnetarë, kryesisht në SHBA, por edhe në Kili e Peru.

Vaksina rezultoi 79 për qind e efektshme në mbrojtjen nga Covid-i simptomatik, dhe 100 për qind në parandalimin e sëmundjes së rëndë.

E rëndësishme është se gjatë testimit nuk u raportuan raste të mpiksjes së gjakut. Të dhënat duhet të inkurajojnë më shumë disa vende të Bashkimit Europian që bllokuan përdorimin e vaksinës mes shqetësimeve për lidhje të mundshme. Disa prej tyre e rinisën përdorimin pasi Rregullatori Europian i barnave arriti në përfundimin se vaksina ishte e sigurt dhe e efektshme.

Të dhënat e testimit të vaksinës në SHBA u ofrojnë gjithashtu garanci të reja qytetarëve, mbi efektshmërinë e vaksinës në mbrojtjen e të moshuarve nga sëmundja.

Një sërë shtetesh europiane fillimisht nuk e autorizuan atë për personat mbi 65 vjeç, duke cituar mungesë të të dhënave.

Gati 1/5 e vullnetarëve në eksperimentin e zhvilluar në SHBA ishin mbi 65 vjeç dhe vaksina, e dhënë në 2 doza me distancë prej 4 javësh, u siguroi atyre po aq mbrojtje sa grupmoshat më të reja.

Rezultatet i hapin rrugën autorizimit për përdorim emergjent të Astrazeneca në SHBA, javët në vijim.