Zonat e riskut elektoral!

Absolut 4/ Durrësi, qarku me rrezikshmërinë më të lartë elektorale

Instituti i Studimeve Politike mendon se Durrësi është qarku me nivelin më të lartë të riskut zgjedhor, ndjekur nga Lezha, Shkodra, Tirana, Dibra dhe Elbasani.

I ftuar në studion e “Absolut 4”, Afrim Krasniqi i ISP Albania, deklaroi se Elbasani dhe Durrësi konsiderohen si qytetet më problematike: “Ironikisht janë dy qytete universitare dhe është e habitshme që aktorët politikë kanë zgjedhur në qytete universitare të kenë elementë të inkriminuar, me bazë të fortë financiare dhe fisnore”. (për më shumë)

Niveli i riskut zgjedhor sipas qarqeve

Kanë mbetur edhe pak ditë nga nisja zyrtare e fushatës zgjedhore për garën parlamentare të 25 Prillit dhe tensionet kanë nisur të shfaqen.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) vlerëson se Durrësi është qarku me nivelin më të lartë të riskut zgjedhor, ndjekur nga Lezha, Shkodra, Tirana, Dibra dhe Elbasani.

Por, nëse analiza fokusohet në nivel bashkie, atëherë Elbasani kapërcen në krye, me 98% të riskut, ndjekur nga Bashkia Durrës dhe Shijak (97%). (për më shumë)

Kalemaj: Nuk vidhen zgjedhjet në kutitë e votimit, shiten dhe blihen më përpara

Analisti Ilir Kalemaj, në studion e “Absolut 4”, u shpreh se “ndëshkimet e reja të parashikuara në Kodin e ri Penal mund të çojnë në një lloj stepjeje” sa i përket krimeve zgjedhore.

Por, Kalemaj shtoi se “zgjedhjet në Shqipëri nuk vidhen në kutitë e votimit”.

“Zgjedhjet shiten dhe blihen para se të shkojmë në zgjedhje. Ndëshkueshmëria për shitblerjen e votës, që është më e vështirë për t’u përdorur si provë kriminale në gjyq, është thembra e Akilit”, deklaroi Kalemaj. (për më shumë)

Bajrami: Problematika do të ketë më shumë në rrethinat sesa në qytet

Gazetari Armand Bajrami evidenton faktin që sipas tij “mendja shkon te qytetet më të vogla të këtyre qarqeve ku mund të kërkohen problematikat, si në Kurbin, dhe problematikat do të jenë gjithsesi “më shumë në rrethina sesa në qendrën e qyteteve”, aty ku edhe sytë e vëzhguesve do të jenë më të pakët”. (për më shumë)

Niveli i riskut zgjedhor, Krasniqi tregon në “Absolut 4” problematikën e Qarkut Tiranë

Afrim Krasniqi i ISP Albania, në studion e “Absolut 4” në A2, tregoi se kush janë problematikat e Qarkut Tiranë në prag të fushatës zgjedhore.

“Në listën e Tiranës janë disa emra interesantë, që dalin për herë të parë në politikë, dhe ne nuk e kuptojmë kush janë. Por, nëse shikojmë atësinë, shikojmë se janë individë shumë të pasur, me ndikim dhe kanë hyrë në listë për të siguruar mandat. Vota në Tiranë nuk sigurohet më me pistoletë, por me blerje, trafik personal influence dhe burime shtetërore. Këto elementë e bëjnë të vështirë monitorimin dhe parandalimin. Tirana do të ketë rivalitet të madh brenda llojit”, u shpreh Krasniqi. (për më shumë)

“Kandidati më i urtë i garës, u ndesh me grushta”

Bashkia e Elbasanit është në krye të renditjes sa i përket riskut të zgjedhjeve, me 98%, sipas një hulumtimi të Institutit të Studimeve Politike.

Afrim Krasniqi, drejtues i ISP Albania, deklaroi në “Absolut 4” se konflikti Boçi-Luca tregon qartë se çfarë po ndodh në prag të fushatës.

“Kandidati më i urtë në garë, u ndesh me grushta dhe u kap në kamera. Imagjinoni se si është situata në prapaskenë. Elbasani është rasti tipik i grupeve të njohura kriminale, që kanë gëzuar imunitet, që kanë lidhje të forta politike, është i vetmi rast kur ka patur zyrtarë në mbrojtje të policisë. Elbasani është hambar votash. Gjithashtu, është zonë e PS-së, por ndoshta më e varfëra në Shqipëri. Ka edhe një deformim në përfaqësim, që lidhet me dy mandatet e PDIU-së dhe rolit të LSI-së. Duke parë gjithë këto faktorë, mbetet qytet tranzit i shumë gjërave”, deklaroi Krasniqi. (për më shumë)

Krasniqi: Në Vlorë PS nuk zgjeron bazën e votuesve por duhet ta mbrojë, kjo mund të sjellë probleme

Një qark problematik për të ftuarit e Absolut 4, që po analizojnë riskun zgjedhor në kuadër të 25 prillit, është ai i Vlorës.

Sipas Afrim Krasniqit, kurioziteti në atë qark është për të ditur cilin do të eliminojë nga gara kandidatura e kryeministrit Edi Rama, kryetarin e PS apo Vullnet Sinajn që është deputet i zonës dhe pretendon të marrë 10 mijë votat që i sigurojnë mandatin, pa anashkaluar kandidatë të PD me lidhje dhe ndikim ekonomik dhe ish-deputetë të qarkut si Dashamir Tahiri, që garon me partinë e drejtuar nga Jozefina Topalli, dhe që mund të luaj një rol.

 Sipas Krasniqit, një burim risku vjen nga fakti që ”Partia Socialiste nuk zgjeron dot numrin e votuesve, por pretendon t’i mbajë ato vota, dhe gjithmonë kjo e bën garën problematike, sepse po ra numri i votuesve, siç pritet të ndodhë, atëherë duhet të kompensosh në periferitë, duke blerë vota ose duke siguruar mekanizma të tjerë”. (për më shumë)