Asetet kriminale, BE fond 5.5 milionë euro, “duhen më shumë konfiskime”

5.5 milionë euro do t’i akordohen agjencive ligjzbatuese në Shqipëri për të intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar dhe në vecanti atë që kërkohet më së shumti nga vendet e Bashkimit Evropian goditjen e aseteve kriminale.

 “Ai është praktikisht një master-plan gjithëpërfshirës në luftën kundër krimit të organizuar, pasi, përveç Policisë së Shtetit, mbështetje e barabartë do të jepet edhe për Prokurorinë Speciale (SPAK), Njësinë e Hetimit Financiar (DPPPP), Prokurorinë e Përgjithshme, Byronë e Hetimit, Doganat dhe praktikisht çdo agjenci ligjzbatuese në vend”, deklaroi ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.

Ambasadori i Bashkimit Evropian Luigi Soreca u shpreh se moto “ndiq paranë” duhet të jetë përqasja në luftën ndaj krimit të organizuar.

“Lufta kundër krimit të organizuar është një prioritet kyç për aderimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe duke ngritur nivelin e hetimeve mbi asetet kriminale të të gjithë aktorëve të përfshirë do të sjellë prova më solide përballë gjykatave duke kontribuar kështu në krijimin e një baze të fortë të dhënash. Projekti gjithashtu do ndihmojë Shqipërinë të përmirësojë në përpjekjet e saj në kontekstin e task-forcës së krimeve financiare. Implementimi i këtij plani është në rrugën e duhur por nevojiten ende më shumë vendime gjyqësore dhe më shumë konfiskime të aseteve kriminale”, u shpreh Soreca.  

Gjysma e fondit 2.5 mln euro do të shkojnë për pajisje të veçanta të cilat do të shërbejnë për planin e goditjes së krimeve financiare. Projekti gjithashtu mbështetet dhe nga ambasada italiane holandeze dhe ajo spanjolle ndërsa çdo vend i Bashkimit Evropian do ndihmojë Shqipërinë me ekspertizë në goditjen e krimit të organizuar.