Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB KOSOVA.duplicate frame 560 1100x620

“Java e parasë”, Banka e Shqipërisë ndërgjegjëson të rinjtë

Banka e Shqipërisë zhvillon këtë javë aktivitetin me titull “Java e parasë” që ka për qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve si qytetarë të ardhshëm të aftë për të marrë vendimmarrje financiare. Në këtë kuadër, gjatë kësaj jave, nën sloganin “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë e tua” organizohen një sërë aktivitetesh, duke nisur nga sot në orën 10:00 që shënohet edhe ceremonia e hapjes.

Albin Kurti merr sot zyrtarisht drejtimin e qeverisë në Kosovë

Avdullah Hoti dorëzon sot postin e kryeministrit tek Albin Kurti së bashku me detajet e punës së deritanishme. “Dosjen e plotë e kam përgatitur që mbrëmë u tha ai mediave ku përfshihen informacionet mbi çështjen e integrimit, MSA-së dhe programit IPA, pa harruar dialogun Kosovë-Serbi dhe detajet mbi marrëveshjen e Uashingtonit. Kalimi i menjëhershëm i pushtetit te qeveria e re ishte një kërkesë e vetë Kurtit, sipas së cilit një zgjatje e krizës politike nuk do të sillte asgjë të mirë për vendin.

Shoqata e transportit në Kosovë rifillon aktivitetin

Në Kosovë ndërkohë rifillon aktivitetin transporti publik pas një ndërprerje gjashtëditore në shenjë proteste ndaj kushteve ku veprojnë. Ky vendim u mor duke marrë parasysh vështirësitë që nënkupton një ndërprerje e këtij aktiviteti për qytetarët. Kryetari i Shoqatës së Transportit, nëpërmjet këtij hapi përpiqet që t’i japë edhe kohë qeverisë së re të ndërtohet dhe të përballet me shqetësimet e tyre. Një ditë më parë, një seri autobusësh parakaluan në Prishtinë në shenjë proteste për mosndarjen e subvencioneve të premtuara nga qeveria Hoti. 

Serbia vijon solidaritetin, vaksinon gazetarët maqedonas

Pasi ndihmoi Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi me sasi vaksinash kundër koronavirusit, Serbia ka ftuar 100 gazetarë maqedonas që të marrin vaksinën AstraZeneca kundër koronavirusit në Vranjë. Lajmi u konfirmua nga drejtuesi i shoqatës së gazetarëve serbë që e cilësoi këtë hap një shenjë solidariteti me kolegët e vendit fqinj për një të ardhme më të mirë të përbashkët. Të njëjtët persona do të marrin edhe vaksinën e dytë kur të vijë momenti. Serbia është vendi që po ecën më mirë nga të gjitha vendet e rajonit me këtë process, ku deri më sot janë vaksinuar mbi 2 milionë e 160 mijë qytetarë, dozën e dytë të së cilës e kanë marrë mbi 850 mijë persona.

Pandemia në Gjermani, Merkel zgjat izolimin me 3 javë

Takimi i kancelares Merkel me 16 kryeministrat e landeve miratoi dje zgjatjen e izolimit të pjesshëm deri më 18 prill duke pasur parasysh shtimin e rasteve me koronavirus në vend. Ndërkohë, vijon procesi i vaksinimit sikurse në shumë shtete të tjera të Europës, ku vaksina e AstraZeneca është bërë një problem i ditës; në njërën anë disa shtete nuk po e përdorin ende dhe në krahun tjetër Komisioni Europian po i bën presion të respektojë kontratën me dërgesat.

Presidenti Putin merr sot vaksinën kundër koronavirusit

Presidenti rus, Vladimir Putin, do të marrë sot live vaksinën kundër koronavirusit. Lajmin e njoftoi vet ai gjatë ditës së djeshme në një mbledhje me qeverinë, por pa specifikuar se cilën vaksinë do marrë, kur në vend janë certifikuar për përdorim 3 të tilla. Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 6 milionë persona kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit në vend, me mbi 4 milionë qytetarë që i kanë marrë të dyja dozat. Ndonëse e ka filluar procesin që në muajin dhjetor me vaksinën vendase, Rusia është shumë mbrapa me vaksinimin e popullatës.

Covid-19 tek Inter, negative, pjesa tjetër e skuadrës, të huajt i bashkohen kombëtareve

Inter çlirohet pjesërisht teksa tamponët më të fundit, e kanë nxjerrë pjesën tjetër të skuadrës negative. Pas 4 futbollistëve të prekur, D’Ambrosio, Handanoviç, Vesino dhe De Vrij të gjithë të tjerët gëzojnë gjendje të mirë shëndetësore dhe kjo do të thotë që ekstrakomunitarët e Inter e kanë tashmë rrugën e lirë për t’ju bashkuar ekipeve kombëtare. Në këtë mënyrë, Skriniar, Lukaku, Brozoviç, Perisiç, Eriksen, Radu dhe Hakimi kanë udhëtuar privatisht drejt përfaqësueseve të tyre për impenjimet e muajit mars. Për pjesën tjetër të ekipit në Milano, Agjencia për mbrojtjen e shëndetit ka dhënë “ok” për të rinisur stërvitjen në grup. Të gjithë futbollistët italianë të Interit dhe ata që nuk janë thirrur në përfaqësuese, do të mund të rinisin stërvitjen, ndërsa kryejnë karantinën me itinerarin e vetëm, shtëpi-qendër stërvitore.