“Dikush në Bruksel të reagojë”, Rama: Komisionerja ndërhyri në fushatë

rama uji 1100x620

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas videokonferencave të realizuara ditët e fundit nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me komisionerë të BE-së.

Sipas kreut të qeverisë, kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi dhe për këtë arsye kërkon një reagim zyrtar nga Brukseli.

“Dikush në Bruksel duhet t’u thotë komisionerëve që harxhojnë kohën e punës së paguar nga taksat e popujve të Europës, për të bërë “videomuhabete” elektorale me Lulëzim Bashën, se kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi kandidat për në BE!

Në dijeninë time Komisioni Europian nuk e ka zakon të fusë hundët në fushatat elektorale dhe unë pres ta mësoj zyrtarisht e publikisht nga Brukseli, nëse e kam unë gabim e ndoshta komisionerët kanë vërtetë të drejtë të bëhen palë kur popujt e Europës zgjedhin qeveritë e tyre”, shkruan Rama.

Kreu i Partisë Demokratike ka zhvilluar ditët e fundit videokonferenca me komisionerin Hahn dhe Gabriel.