Efikasiteti i Sputnik V, siguron mbrojtje të lartë, në teknologji si AstraZeneca

Pas ardhjes së vaksinës ruse në Shqipëri, specialistët japin detaje për efikasitetin dhe rezultatet e saj. Përgjegjësja për vaksinimin në Institutin e Shëndetit Publik thotë se Sputnik V është e ngjashme me AstraZenecan.

Të dhënat nga shumë vende të cilat po e përdorin flasin për një mbrojtje të lartë ndaj koronavirusit.

Me Sputnik V do të vijojë vaksinimi i të moshuarve mbi 80-vjeç. Ndërsa mësuesit dhe pedagogët po marrin AstraZenecan. Erida Nelaj tregon se i vetmi ndryshim mes këtyre vaksinave është koha e marrjes së dozës së dytë.

Më herët, Ministrja e Shëndetësisë nga foltorja e Kuvendit deklaroi se miratimi i aktit normativ për vaksinimin i hapi rrugën sigurimit të dozave masive anti-covid, vetëm me certifikatën e vendit të origjinës.

Me nisjen e këtij procesi Manastirliu parashikon mbi 10 mijë vaksinime në ditë. Në Shqipëri, kanë ardhur mbi 90 mijë vaksina anti-covid. Në ditët e para të prillit priten sasi të tjera nga marrëveshja me Pfizer dhe me Covax.