Rama prezanton kandidatët socialistë në Tiranë

Kryeministri Edi Rama prezantoi pasditen e së martës kandidatët e Partisë Socialiste që do të garojnë në Tiranë, për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

“Sa më shumë partitë politike të kenë ambicien dhe vullnetin për t’u bërë pasqyra të shoqërisë, aq më shumë janë mundësitë që kjo të ndodhë në nivelin më të lartë të përfaqësimit të çdo partie, që është Kuvendi. Njerëzit duhet ta gjejnë veten e tyre duke parë në një skuadër profile dhe eksperienca të ngjashme të tyret dhe duke gjetur në këto profile arsyen për të qenë më besimplotë, për të pasur më tepër besim tek politika, si një mjet për të realizuar qëllime të mëdha dhe të përbashkëta. Është e qartë që qoftë zgjedhja e Luljetës (Bozo), qoftë e Najadës (Çomo) nuk janë të rastësishme, në një kohë kur jemi detyruar të përballemi me dy sfida të jashtëzakonshme, të cilat e kanë thyer në mes mandatin tonë të dytë”, deklaroi Rama.

“Besoj që ne kemi vënë përpara zgjedhësve të Qarkut të Tiranës një skuadër e cila është në lartësinë e pritshmërisë së publikut, të të gjitha moshave, kategorive, për të pasur një zgjedhje e cila që nuk është vetëm një zgjedhje për partinë, por edhe preferenciale për një kandidat apo një tjetër. Dua të shpreh mirënjohjen time të dyja zonjave të nderuara që janë në krahët e mi që pranuan ftesën si një detyrim qytetar, si angazhim profesional”, shtoi Rama.