Sfidat e Kosovës me qeverinë e re!

Dialogu me Serbinë, Franko Egro: Kurti duhet të përgatitet shpejt dhe qartë

Gazetari Franko Egro, në studion e “Absolut 4” në A2, deklaroi se kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, “duhet të përgatitet shpejt dhe qartë”, për dialogun me Serbinë, duke shtuar se dialogu duhet të jetë prioritet.

“Pritet forma që do të marrë ndërhyrja e SHBA-së në rebusin e dialogut me Serbinë. Kurti e di që dialogu është i rëndësishëm, në mbrëmjen e fitores ai e vlerësoi si prioritet numër 6 apo 7. Nga ana tjetër, ai e di se duhet të përgatitet shpejt dhe qartë për këtë dialog, që duhet të jetë prioritet. Kurti nuk duhet të jetë i izoluar dhe i vetëm. Kjo është çështje thelbësore dhe mendoj se edhe opozita duhet të ketë rolin e saj”, u shpreh Egro. (për më shumë)

Nurellari: Papërgjegjshmëri e Kurtit fakti që nuk përmend në program dialogun me Serbinë

Analisti Adri Nurellari, në studion e “Absolut 4” në A2, e quajti papërgjegjshmëri të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, faktin që në programin e tij nuk e ka përmendur dialogun me Serbinë.

“Tani, Kurti do të ballafaqohet me sfidat që ka kryeministri dhe një nga kryesoret është dialogu me Serbinë. Këtu e shoh hipokrizinë dhe problemin e parë. Fakti që në program qeverie nuk e përmend, tregon papërgjegjshmëri, pasi dialogu është sfidë e jashtëzakonshme. Kjo vë në pikëpyetje nëse e ka marrë apo jo seriozisht punën e kryeministrit”, u shpreh Nurellari. (për më shumë)

Dialogu me Serbinë, Bejdo: Kurti duhet të shfrytëzojë administratën e re amerikane

Rosalba Bejdo, producentja e lajmeve ndërkombëtare në A2, u shpreh në “Absolut 4” në A2 se kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të shfrytëzojë faktin që tashmë SHBA-ja ka një administratë të re, me përvojë dhe njohuri për Kosovën.

“Do të ishte e gabuar që Kurti mos të shfrytëzonte faktin që SHBA ka administratë që ka njohuri dhe përvojë me Kosovën, ndryshe nga ajo paraardhëse. Është një moment që duhet shfrytëzuar”, deklaroi Bejdo.

Sipas saj, “BE dhe SHBA kanë kërkuar që dialogu të vendoset në krye të agjendës, duke i kujtuar se e ardhmja e Kosovës varet nga normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve”. (për më shumë)

Debati mbi Gërvallën, Egro: Mund të afrojë Kosovën me Gjermaninë. Nurellari: Nuk paragjykoj, por di vetëm që është flautiste e talentuar

Gazetari Franko Egro fokusohet pikërisht te një nga emrat e  më të diskutuar, atë të ministres së Jashtme Donika Gërvalla. “Gërvalla është personazh interesant. Ajo është vajza dhe mbesa e dy martirëve të Kosovës, të vrarë në Gjermani në afërsi të Shtutgartit, ndër krijuesit e idesë së pavarësisë së Kosovës dekada përpara se të konkretizohej, ka një aktivitet intensiv me LDK por u përjashtua nga mënyra sesi donte të bënte politikë”, thotë analisti.

 Egro shton një element tjetër faktin që kryediplomatja kosovare “është bashkëshortja  e një ish-deputeti gjerman, Stefan Schwartz, dhe njohës i Kosovës dhe me influencë në politikën gjermane. Do të ishte mirë që këtë influencë zonja Gervalla ta afronte me Kosovën, sepse dihet pesha e Berlinit në dialogun me Serbinë. Diplomacia kosovare prej një viti ka qenë pothuajse inekzistente”.

Ndërkohë, analisti Adri Nurellari duket skeptik, bazuar edhe në historinë politike dhe personale të Gërvallës.

“Për sakrificën e babait dhe xhaxhait të zonjës Gërvalla ka respekt e gjithë Kosova, por për të mbetet për t’u parë. Ajo njihet si super agresive ndaj zotit Thaçi dhe PDK-së, dhe një zë i fortë kundër bashkëpunimit midis PDK dhe LDK-së, nuk njihet për gjë tjetër”. (për më shumë)

“Konjufca është në pozicionin që i takon të jetë”

Në “Absolut 4” u komentua profili i zotit Glauk Konjufca, kryeparlamentarit të ri të Kosovës dhe së shpejti edhe ushtrues i detyrës së Presidentit.

Rosalba Bejdo, producentja e lajmeve ndërkombëtare në A2, deklaroi se “nuk dihet për sa kohë do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit”, duke shtuar dhe zgjedhja e kreut të ri të shtetit është urgjente.

“Konjufca është bashkëpunëtor i ngushtë i Albin Kurtit dhe prandaj opozita thotë se Kurti po tenton të marrë të gjitha pushtetet”, deklaroi Bejdo.

Analisti Adri Nurellari e vlerësoi figurën e Konjufcës: “Është në pozicionin që i takon të jetë, është një nga personazhet më të spikatura të Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk ka pasur mjaftueshëm kohë për të treguar veten diku. E shikoj më të përshtatshëm si pozicion atë të kryetarit të Kuvendit, pasi Konjufca ka dimension më të moderuar dhe njerëzor. Mendoj se është në pozicionin e duhur, nuk është natyrë aq konfliktuale sa të tjerët e Vetëvendosjes”. (për më shumë)

Nurellari: Ministri i Mbrojtjes është kapiten i ushtrisë norvegjeze, nuk është shfaqje dinjitoze

Analisti Adri Nurellari, i ftuar në Absolut 4, komenton përbërjen e kabinetit Kurti në Kosovë, dhe kritikon emërimin e ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj, pjesë e diasporës me një karrierë ushtarake në një vend tjetër. (për më shumë)