A i duhen Shqipërisë 4 aeroporte? Ekspertët përgjigjen në “A2 Business”

Përveç aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, kryeministri Edi Rama premton se vendi do të ketë edhe aeroportin e Kukësit, të Vlorës dhe Sarandës.

Feliks Baçi, ekspert për transportin ajror, deklaroi në “A2 Business” se “kryeministri nuk mund të premtojë ndërtim aeroportesh, por ekziston një plan kombëtar i një sistemi të integruar aeroportesh në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

“Unë mund të kem pasur shumë skepticizëm personalisht, por i shikoj si të realizueshme. Nuk ka vend për skepticizëm në rritjen e infrastrukturës së aviacionit”, deklaroi Baçi.

Dritan Goxhaj, ekspert për transportin ajror, mendon se nuk janë të nevojshëm dy aeroporte kaq pranë njëri-tjetrit sa ai i Vlorës dhe Sarandës: “Një aeroport duhet të mbulojë nga 100 mijë deri në 1 milion banorë. Më pas, për çdo 1 milion banorë mund të ndërtosh një aeroport. Duke qenë se Shqipëria ka rreth 3 milionë banorë, me 3 aeroporte ne jemi mirë. Nuk ka nevojë për 4-5, sidomos në momentin që një aeroport është shumë afër tjetrit, siç është rasti i atij të Vlorës dhe Sarandës. Do t’i merrnin biznesin njëri-tjetrit. Nuk jam kundër aeroportit të Vlorës, shpresojmë që të bëhet. Por, të bësh edhe aeroportin e Sarandës, do të thotë se do të ndikojë në mbarëvajtjen e aeroportit të Vlorës”.

“Në rast se qeveria ka vendosur që të ndërtojë aeroporte, pavarësisht se ku, dhe do të ofrojë garanci që t’i japë fitimin e munguar kompanisë, atëherë nuk ka leverdi për këto aeroporte”, deklaroi Goxhaj.