Basha, bisedë me kreun e PPE në Parlamentin Europian: Zgjedhjet, jetike për të ardhmen e Shqipërisë

WhatsApp Image 2021 03 24 at 10.56.41 1100x620

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar gjatë ditës së mërkurë bisedat online me zyrtarë të lartë të Parlamentit Europian, pas komunikimeve me disa komisionerë që sollën dhe reagimin e kryeministrit Edi Rama.

Në bashkëbisedimin me kreun e Grupit të PPE në Parlamentin Europian, Weber bisedoi me drejtuesin e opozitës për shqetësimet dhe temat kryesore të fushatës zgjedhore në Shqipëri

Basha theksoi se shqetësimet kryesore të shqiptarëve sot janë gjendja e rëndë ekonomike, kostoja e lartë e jetesës, papunësia dhe emigrimi.

“Qytetarët janë të zhgënjyer pas 8 viteve të qeverisë Rama, 8 vite ngecjeje në vendnumëro në procesin e Integrimit Europian dhe duan ndryshim. Por shqiptarët sot e dinë se ndryshimi do të vijë vetëm kur Shqipëria të bëjë progres në procesin e integrimit në BE. Fatkeqësisht, në këto 8 vite, vendi nuk ka bërë progres, por madje ka shënuar hapa mbrapa sa i përket nivelit të  korrupsionit, luftës kundër krimit të organizuar dhe shtetit ligjor. Prandaj sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë parakushte për të ecur përpara në procesin e integrimit, parakushte për të përmirësuar jetën e shqiptarëve dhe për të rritur mirëqenien e tyre”, u shpreh Basha.

Zyrtari i PPE, Manfred Weber vuri në dukje se zgjedhjet e 25 prillit janë jetike për të ardhmen europiane dhe integrimin europian të Shqipërisë.