Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB LEYEN frame 705 1100x620

Anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë nisin punën, nuk betohen te presidenti

4 anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, nisin sot zyrtarisht punën. Albana Boksi, Sokol Binaj, Klodian Kurushi dhe Sandër Simoni nuk do të betohen te presidenti pasi e kanë bërë diçka të tillë kur morën detyrën. Gjithçka do të paraprihet nga një ceremoni mikpritëse që bëhet në ambientet e kësaj gjykate. Pas dekretimit të presidentit, Gjykata e Lartë ka tani 7 anëtarë nga 19 që nevojiten për të filluar punën.

Prokurorja “e hekurt” përballet sot me vetingun

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, del sot para institucioneve të vetingut për vlerësimin e figurës. Imeraj drejton prokurorinë në pritje të vlerësimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që do ta caktonte atë si drejtuese me të drejta të plota në atë post. Në lidhje me këtë çështje, KLP-ja mori vetë përsipër të bënte vlerësimin etik dhe profesional kur në mënyrë unanime votuan për ta lejuar atë të vijojë ngjitjen në karrierë.

Zhvillohet në Hagë seanca e radhës për Thaçin dhe ish-luftëtarët e tjerë të UÇK

Hashim Thaçi dhe ish-anëtarët e tjerë të UÇK-së dalin sot para Gjykatës në Hagë. Konferenca për ecurinë e çështjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të mbahet në orën 11:00, teksa kjo datë korrespondon me përvjetorin e 22-të të nisjes së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Seanca e kaluar ndaj ish-krerëve të UÇK-së u mbajt më 16 shkurt ku avokatët kërkuan me tepër kohë për t’u njohur me akuzat.

Takohen sot ministrat e Jashtëm të NATO-s, pandemia, siguria e klima në fokus

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s takohen sot me një agjendë të ngjeshur që lidhet me shqetësimet mbi Kinën dhe Rusinë, si dhe ndryshimet klimatike, siguria kibernetike, kërcënimet hibride, lufta kundër terrorizmit, siguria energjetike dhe padyshim pandemia ka bërë që pjesëmarrës në të do të jetë edhe sekretari i Shtetit amerikan, Anthony Blinken ku nuk do të mungojë as takimi dypalësh me Sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

Vaksina, Von der Leyen: BE nuk e ka luksin të mendojë për vendet e varfra

“Për momentin, Europa nuk e ka luksin të mendojë për vendet e varfra pasi nuk ka siguruar ende numrin e vaksinave për vendet e bllokut”. Kjo ishte deklarata më e fundit e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pas kërkesës së OBSH-së që të ndihmohen vendet e varfra që nuk kanë siguruar dot vaksinën.

Kombëtarja gati për Andorrën, grupit i bashkohen Berisha dhe Mitaj

Lajme pozitive nga Kombëtarja në ditën e dytë të përgatitjeve në Barcelonë të Spanjës. Grupi kuqezi është plotësuar, me Etrit Berishën dhe mbrojtësit Veseli e Mitaj që i janë bashkuar skuadrës. Tashmë, me 28 futbollistët e përzgjedhur në dispozicion, trajneri Edy Reja ka mundësi të punojë me intensitet të plotë, për të përgatitur sa më mirë sfidën e 25 marsit ndaj Andorrës. Drejtuesi i stolit tashmë do të vlerësojë gjendjen e kuqezinjve, për të hedhur në fushë ekipin më të mirë. Objektivi është fitorja në start, për të tentuar më pas në përballjet me rivalët e vërtetë të grupit, Anglinë, Poloninë dhe Hungarinë.