Franca ndalet nga Ukraina, Portugalia kursehet ndaj De Biasit

france ukraine 1100x620

Franca zhgënjen në ndeshjen e parë të kualifikueseve të Botërorit “Katar 2022”. Kampionët e botës në fuqi nuk shkuan përtej barazimit 1-1 ndaj Ukrainës, në “Stade de France”.

“Gjelat” kaluan në avantazh me anë të Griezmann, por një autogol i Kimpembe në minutën e 57’ bëri që të dilnin me vetëm një pikë nga ky takim.

Portugalia fitoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Azerbajxhanit të Gianni De Biasit, falë një autogoli të Medvedev në minutën e dytë. Edhe pse pritej goleadë dhe disa gola nga Cristiano Ronaldo, portugezët nuk arritën dot të shënonin më ndaj ekipit që drejtohet nga ish-trajneri i kombëtares sonë.

Belgjika fitoi me rezultatin 3-1 përballë Uellsit. Miqtë kaluan të parët në avantazh me anë të Wilson (10’), por belgët reaguan në mënyrë fantastike dhe përmbysën gjithçka që në pjesën e parë, me golat e Kevin De Bruyne dhe Thorgan Hazard. Në pjesën e dytë ishte Romelu Lukaku që vulosi suksesin, me 11-metërsh.

Republika Çeke triumfoi me rezultat tenistik 2-6 në transfertë ndaj Estonisë, ku protagonist absolut ishte mesfushori i West Ham, Tomas Soucek, që shënoi tre herë.

Hap fals edhe për Kroacinë, që u mposht me rezultatin minimal 1-0 ndaj Sllovenisë. Këta të fundit kaluan në avantazh me anë të Lovric në minutën e 15’ dhe më pas ia dolën të ruajnë të paprekur portën, duke marrë 3 pikët.

Serbia ia doli të triumfojë me shifrat 3-2 në një sfidë të vështirë ndaj Irlandës.

Në sfidat e tjera të mbrëmjes, Finlanda dhe Bosnja u ndanë në barazim 2-2, Rusia triumfoi me rezultatin 1-3 në Maltë dhe Mali i Zi mposhti 1-2 Letoninë në transfertë.