Gara në Gjirokastër, Kumbaro: I kemi votat e sigurta, kemi përballë lista humbëse, PD e LSI, jo dinjitozë

“I kemi të gjitha garancitë edhe sepse po të shikoni listën, me vullnet dhe vendimmarrje të përbashkët të skuadrës, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili është edhe kapiteni politik i skuadrës sonë, është i treti. Kjo ka një arsye dhe jep një mesazh shumë të fortë sepse ne i kemi të gjitha komunikimet me njerëzit që na japin garancinë që ne i marrim 3 mandate”.

Kështu u shpreh në studion e “Ditarit” në A2 Mirela Kumbaro, kandidate e Partisë Socialiste në Gjirokastër për zgjedhjet e 25 prillit.

Më tej, ajo i konsideroi rivalët e PD-së dhe të LSI-së si lista humbëse dhe jo dinjitoze. “Edhe ata tjerët janë gjoja kundërshtarë, pasi nuk mund të jesh kundërshtar dinjitoz politik në momentin që i braktis votuesit e tu në mes të mandatit. Kjo është një gjë e padëgjuar më parë dhe të kesh kurajë të kërkosh votën nga njerëzit mbasi i ke lënë në baltë… Janë listë humbëse si të PD ashtu edhe të LSI. Edhe nëse shohim listat janë kandidatë që kanë humbur shumë herë në disa gara elektorale, është listë humbëse pasi kanë humbur busullën dhe kanë ikur në drejtim të paditur në mes të mandatit. Janë të pashpresë dhe të dëshpëruar. Mendoj se skuadra e PS, të 6 kandidatët që janë në terren, jemi pjesë e atij komuniteti dhe nuk kanë përballë vetëm dy lista humbëse, por vetëm votuesit”, u shpreh Kumbaro.