Kualifikueset gati për start, Franca kërkon mbrojtjen e kurorës

mbappe griezmann 1100x620

9 muaj për të përcaktuar skuadrat finaliste të Botërorit të Katarit dhe faza e “Play Off” që zhvillohet në mars të vitit të ardhshëm.

Pas shtyrjes së detyruar prej pandemisë, kualifikueset e Kupës së Botës 2022 nisin sot dhe në muajin nëntor, FIFA do të ketë listën e përfaqësueseve që do të udhëtojnë drejt Lindjes së Mesme për finalet e Botërorit, që si asnjëherë më parë, do të zhvillohet në dimër.

Kampionët në fuqi, Franca, me emrat që ka në përbërje, janë sërish skuadër pretendente për të fituar turneun, por historia ka treguar se është e vështirë të kesh sukses në një evenimet të tillë për dy edicione me radhë.

Misioni i gjelave për mbrojtjen e kurorës nis nga një ekip me emra shumë cilësorë si Ukraina e Andriy Shevchenko.

Franca, gjithsesi, nuk ka humbur asnjëherë ndeshjen hapëse të kualifikueseve në shtëpi që prej vitit 1968. Në fushë zbresin sot edhe Portugalia, një tjetër skuadra pretendente për fitimin e grupit A, që sheh si rivale për vendin e parë vetëm përfaqësuesen serbe. Luzitanët nisin kualifikueset përballë Azerbajxhanit, kombëtares modeste në krahasim me kampionët e Evropës, të cilët drejtohen nga ish-trajneri kuqezi De Biasi. Belgjika e yjeve, përfaqësuesja që prej kohësh renditet e para në renditjen e FIFAS, përballet me Uellsin e Bale. Duel mjaft interesant pritet të jetë ai mes dy vendeve fqinje, Sllovenisë dhe Kroacisë, me nënkampionët e Botës që janë sigurisht favoritë. Të tjera skuadra pretendete si Rusia apo Norvegjia e yllit Haaland, ndeshen me kundërshtarë inferiorë, sikundër janë Malta apo Gjibraltari.