Mediu takohet me zv.kryeministrin e Maqedonisë së Veriut: Të ndihmojmë shqiptarët kudo që ndodhen për t’u regjistruar

Kryetari i Partisë Republikane dhe njëkohësisht kandidati me Nr.7 i “Aleancës për Ndryshim”, Fatmir Mediu, priti sot në një takim në zyrë zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin për Sistemin politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive nga Maqedonia e Veriut, Artan Grubi.

Grubi shprehi vlerësimet e tij maksimale për Kryetarin e Partisë Republikane dhe gatishmërinë që ai ka treguar kurdoherë në shërbim të shqiptarëve të të gjitha trevave. Ai kërkoi ndihmën e Mediut për regjistrimin e diasporës shqiptare në Amerikë duke theksuar rëndësinë jetike që ka ky regjistrim, i cili po zhvillohet nga 1 Marsi dhe do të përfundojë më 21 prill.

“Unë ju uroj shumë suksese në fushatën zgjedhore dhe shpresoj që pas përfundimit të suksesshëm të këtij procesi zgjedhor, bashkë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, do çelin negociatat me Bashkimin Europian dhe bashkërisht do i përmbyllim këto negociata  me anëtarësim të plotë”.

Mediu i ka bërë ftesë diasporës së RMV-së që t’i përgjigjen pozitivisht procesit të regjistrimit, proces thelbësor i cili do t’i mundësojë shtetit amë që të gjitha politikat zhvillimore t’i bëjë  në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë .

Sipas Mediut, diaspora tashmë  ka shansin historik që të faktorizojë veten dhe me këtë të ndihmojë dhe familjarët e tyre që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mediu shprehu gatishmërinë e tij të plotë që rrjetin e tij të gjerë në SHBA, ta vendosë në shërbim të plotë të regjistrimit të  mërgatës së Maqedonisë së Veriut në Amerikë .

“Shqipëria është një gjë e interesit të jashtëzakonshëm të shqiptarëve, është koha që ne të mos bëjmë deklarata, por të bëjmë punë konkrete.”

Mediu e vlerësoi këtë si një nga lëvizjet më të rëndësishme pas Marrëveshjes së Ohrit, e cila duhet shfrytëzuar nga gjithsecili që do të regjistrohet. Ai e konsideroi si përgjegjësi kombëtare dhe u shpreh se duhet luftuar për interesin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe për interesin tonë kombëtar.

“Pra besoj se është një sfidë që na takon gjithsecilit nga ne për ta marrë përsipër dhe Partia Republikane dhe unë personalisht, jemi tërësisht të angazhuar për t’ju ndihmuar dhe mbështetur në këtë proces të rëndësishëm.”

Takimi u mbyll me bisedime mbi mundësitë  e bashkëpunimeve të  mëtejshme midis dy shteteve.