Policia godet një grup kriminal në Elbasan, arrestohen 3 persona, kapen me kokainë e armë

Policia në Elbasan ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar “Bulevardi”, duke arrestuar 3 persona, ndërsa janë sekuestruar armë zjarri dhe kokainë e ndarë në doza.

“Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të grumbulluara gjatë hetimit 5-mujor, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e siguruara, në bashkëpunim me FNSH dhe Forcën e Posaçme “Shqiponjat”, organizoi dhe finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Bulevardi”, në kuadër të të cilit u godit një grup që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, kryesisht kokainë, në qytetin e Elbasanit. Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasit: G. M., 34 vjeç, H. H., 44 vjeç dhe S. S., 54 vjeç, të tre banues në Elbasan”, bën të ditur policia.

Sipas policisë, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. S. u gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri pistoletë, një sasi fishekësh dhe një sasi lënde narkotike kokaine e ndarë në doza.

“Nga hetimet e kryera është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria kriminale e këtyre shtetasve, të cilët merreshin me shpërndarjen e kokainës në qytetin e Elbasanit”, thuhet në njoftimin e policisë.