Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Rama, letër urimi Kurtit: Ekzistojnë të gjitha mundësitë për projekte të guximshme

Nga A2 CNN
24 Mars 2021, 19:19 | Politikë
Rama, letër urimi Kurtit: Ekzistojnë të gjitha

Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një letër urimi homologut të tij kosovar, Albin Kurti, i zgjedhur kryeministër i Qeverisë së Kosovës. Rama uroi Kurtin dhe riafirmoi vendosmërinë për të zgjeruar dhe intensifikuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi se ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe potencialet për ndërmarrje të rëndësishme e projekte të guximshme mes Shqipërisë dhe Kosovës.

LETRA E PLOTË:

Shkëlqesia Juaj, I dashur Albin,
Zgjedhja Juaj në detyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës më jep kënaqësinë t’Ju përcjell urimet e mia për sukses në drejtimin e vendit dhe përballimin e sfidave të qeverisjes.
Duke riafirmuar vendosmërinë time dhe të Qeverisë që unë kryesoj për t’i zgjeruar e intensifikuar më tej marrëdhëniet tona, unë besoj fort se tashmë ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe potencialet për ndërmarrje të rëndësishme e projekte të guximshme në shumë sektorë, përfshirë përballjen e përbashkët me COVID-19. Këto ndërmarrje do t’i kontribuojnë përmirësimit të jetesës dhe përparimit e integrimit më të shpejtë të shqiptarëve.
Unë mbetem gjithashtu besimplotë se Ju dhe ekipi Juaj qeverisës do t’i kapërceni me sukses sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës në përparimin e saj të gjithanshëm demokratik e integrues në rajon dhe më gjerë, drejt rrugëtimit të saj euroatlantik.
Me urimet më të mira për sukses të Kabinetit Tuaj qeveritar dhe me ftesën e përzemërt për të vizituar Shqipërinë në një kohë të përshtatshme për Ju, lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Sinqerisht Edi Rama.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani