Si përcaktohen prioritetet në infrastrukturën rrugore? Ekspertët: Duhet një masterplan i investimeve publike dhe konsensus mes palëve

24 MARS A2 BUSINESS CLNE frame 118996 1100x620

Ekspertët e ftuar në A2 Business  komentuan ndër të tjera edhe sistemin rrugor në vend, ku nuk mungojnë premtimet e munguara. Një nga kritikat e qeverisë Rama ka qenë një mungesë në finalizimin e akseve rrugore të reja.

“Këto rrugë janë vazhdimi i atyre të mëparshme, përveç asaj të Arbrit që ka qenë e programuar por ka filluar me qeverise socialiste. Ndërkohë by pass i Fierit dhe ai i Vlorës kanë qenë pjesë e korridorit 8, degëzime të atij projekti që parashikonte  edhe ndërtimin e hekurudhës, porteve etj. Nuk është vetëm problem i rrugëve, por i sistemit të transportit, Europa futi konceptin e korridoreve sepse janë multimodalë, që nënkuptojnë ndërtimin e rrugëve por edhe hekurudhave, aeroportet dhe portet”, saktëson Kujtim Harshova,  ekspert për transportin rrugor.

Ndërkohë, për ekspertin për ekonominë Bardhi Sejdarasi kjo vijueshmëri është deri diku normale, “sepse ka projekte që për shkak të kompleksitetit prekin më shumë se një mandat. Por është e nevojshme që partitë politike që në ndërmarrjen e këtyre akseve të kenë një konsensus, të debatohen projektet në mënyrë që të jenë të leverdishme dhe të kenë efektin më imediat.

Po pse nuk ekziston ky konsensus? Sipas ekonomistit Majlind Lazimi, “kjo është histori e vjetër sepse procese të tilla të investimeve publike kanë qenë të përcaktuar më shumë nga vullneti politik sesa nga vendimmarrja e mirë. Nuk kemi një proces që të përcaktohet nga analiza e përfitimeve dhe kostove të caktuara, ndërkohë që shihen kostot elektorale.

Lazimi dakordëson me Sejdarasin që “duhet të kishim një masterplan të investimeve publike, që të japë prioritet investimeve publike, ku përfshihet infrastruktura por jo vetëm, sepse nevojat janë edhe për shkolla dhe spitale, por nuk mund të bëhen në të njëjtin moment”.

Një tjetër aspekt i këtyre viteve në ndërtimin e akseve rrugore ka qenë shfrytëzimi i koncensioneve. Për Sejdarasin “nuk është i keq koncesioni, është i keq mos menaxhimi i tyre. Në Shqipëri mungon mekanizmi që t’i monitorojë hap pas hapi”.

Për Lazimin, “problemi në Shqipëri është se nuk duan t’ i delegojnë pushtetin teknicienëve. Instrumenti koncesionar ka qenë jo eficent dhe në disa raste abuziv, dhe pikëpyetje e madhe është ku është analiza e kostove të përfitimit për shoqërinë shqiptare, por edhe ajo e kostove financiare”.